Euro 2020

Budapest, Mynih dhe Sevilja, përballje “të ashpra”


Në ditën e nëntë të “Euro 2020”, do të mbyllet faza e dytë e grupeve, ku do të luhen dy ndeshje të Grupit F dhe një e Grupit E.

Fillimisht do të luhen dy ndeshjet e Grupit F. Në orën 15:00, do të zbresin në fushë Kombëtarja e Francës dhe ajo e Hungarisë, që do të përballen mes tyre në stadiumin e stërmbushur “Puskas Arena” në Budapest.

Në xhiron e parë, Franca pak sa e prirë nga fati, e fitoi klasiken evropiane përballë Gjermanisë me rezultat minimal 1:0.

Kurse Hungaria u mposht nga Portugalia, me rezultat 0:3, në po të njëjtin stadium, ku do të zhvillohet edhe kjo ndeshje.

Pavarësisht rezultatit, hungarezët treguan një lojë të mirë përballë portugezëve, ku vetëm në tetë minutat e fundit i pësuan tre golat.

Ndeshja tjetër e këtij grupi, do të jetë super dueli mes Portugalisë dhe Gjermanisë, që do të fillojë në ora 18:00 në stadiumin “Allianz Arena” në Munich.

Gjermania vjen në këtë duel, për të kërkuar pikët me çdo kusht, pasi një humbje eventuale nga Portugalia, do të zbehte gjasat për kualifikimin tutje në 1/8-at e finales.

Në anën tjetër, edhe pse portugezët vijnë pas fitores me Hungarinë, prapë do t’i kërkojnë pikët me çdo kusht, pasi ndeshjen e fundit do ta zhvillojnë përballë Francës.

Gjermania dhe Portugalia, për herë të fundit janë përballur në grupet e Kampionatit Botëror të vitit 2014, të cilën e fituan gjermanët me rezultat të thellë 4:0.

Kurse, në total, këto dy skuadra janë takuar 10 herë mes tyre dhe, për çudi, asnjëra nga to nuk ka qenë ndeshje miqësore, në të cilat pesë fitore ka Gjermania, kundrejt tri të Portugalisë dhe dy ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Dhe, ndeshja e fundit e xhiros së dytë të fazës së grupeve, do të zhvillohet në ora 21:00, mes Spanjës dhe Polonisë.

Në stadiumin “La Cartuja” të Sevilla-s, pritet të jetë një ndeshje interesante, me dy skuadrat që do të kërkojnë me çdo kusht pikët e këtij takimi.

Spanja vjen pas atij barazimi pa gola me Kombëtaren e Suedisë, derisa Polonia befasoi në ndeshjen e parë, duke humbur ndaj Sllovakisë me rezultat 1:2.

Në Grupin E, Suedia është lider me katër pikë, pasuar nga Sllovakia me tri, ndërsa Spanja gjendet e treta me një pikë, kurse Polonia mbetet e fundit me asnjë pikë.

Andaj mbetet të shihet se cila nga këto dy kombëtare potencialisht nuk do të kalojë fazën e grupeve të këtij Kampionati Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore