Lajme

Brazil: Të paktën 21 persona u vranë gjatë bastisjes së policisë në Rio Favela


©: Mauro Pimentel/AFP/Getty Images

Të paktën 21 persona janë qëlluar për vdekje dhe shtatë janë plagosur gjatë një bastisjeje të policisë, në një favelë të Rio de Zhaneiros, për të kapur drejtuesit e një organizate të trafikut të drogës.

Vdekjet përfshinin një grua, e cila u qëllua nga një plumb qorr në shkëmbim zjarri mes anëtarëve të bandës dhe policisë në favela “Vila Cruzeiro”.

Numri i të vdekurve e vendos incidentin ndër operacionet më vdekjeprurëse të policisë në Rio në historinë e fundit.

Kjo vjen një vit pas një bastisjeje në favelën “Jacarezinho”, ku mbetën të vdekur 28 persona, duke shkaktuar pretendime për abuzime dhe ekzekutime të shkurtra.

Episodi ndezi protesta dhe gjithashtu rindez debatin mbi përdorimin e duhur të forcës policore në Rio, ku një thënie e zakonshme lokale është: “Një kriminel i mirë, është një kriminel i vdekur”.

Vetëm disa javë pas bastisjes së “Jacarezinho”-s, një plumb goditi një grua të re shtatzënë gjatë një bastisjeje të policisë në një tjetër favelë. Vdekja e saj shkaktoi zemërim të mëtejshëm.

Banorët në mediat sociale thanë se të shtënat e rënda filluan në errësirë ​​në orën 4 të mëngjesit, në një zonë të pyllëzuar pranë Vila Cruzeiro, duke shkaktuar frikë dhe panik në lagje të varfra.

Të shtënat me armë filluan përsëri pasdite, deklaroi një fotograf i agjencisë së lajmeve ndërkombëtare “Reuters”, përcjell Albanian Post, pranë vendit të ngjarjes.

Shtatë të plagosur u dërguan në spital, duke përfshirë një polic.

Operacioni policor, i mbështetur nga një helikopter, kishte në shënjestër drejtuesit e bandës më të madhe të krimit të organizuar në Rio, Comando Vermelho (Komanda e Kuqe), të cilët, sipas inteligjencës policore, ishin fshehur në Vila Cruzeiro.

Jashtë një spitali lokal, ku u dërguan viktimat, banorët e Vila Cruzeiro vajtuan humbjen e familjes e miqve dhe protestuan.

Prokurorët publikë të Rio-s, në një deklaratë, thanë se kishin hapur një hetim penal.

Ata i dhanë policisë ushtarake dhjetë ditë kohë për të raportuar detaje rreth operacionit.

Në këtë hetim, ata duhet të zbardhnin gjithashtu se cilët zyrtarë ishin përgjegjës për çdo vdekje dhe arsyetimin për përdorimin e forcës vdekjeprurëse, thuhet në deklaratë.

Operacioni u krye së bashku nga policia ushtarake dhe policia federale e autostradës. Policia sekuestroi 16 automjete, 13 automatikë, si dhe pistoleta dhe granata, thuhet në njoftimin e policisë.

21 Killed In Latest Police Raid On Rio Favela | Capitalator

Në fillim të këtij viti, Gjykata e Lartë e Brazilit vendosi një sërë kushtesh, që policia të kryejë bastisje në favelat e Rio-s, si një mënyrë për të reduktuar vrasjet e policisë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Gjykata vendosi se forca vdekjeprurëse duhet të përdoret vetëm në situatat në të cilat janë shteruar të gjitha mjetet e tjera dhe kur është e nevojshme për të mbrojtur jetën.

Ajo i dha policisë 180 ditë për të instaluar pajisje, për të regjistruar audio dhe video në uniformat dhe automjetet e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore