Kosova

Bllokohet Graçanica, serbët nisin festimin e Vidovdanit


Të mërkurën qytetarët serbë kanë filluar të mblidhen te manastiri i Graçanicës për të festuar Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si Vidovdan. Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

Vidovdani i cili zakonisht festohet në Gazimestan – dhjetë kilometra larg Prishtinës – këtë vit po mbahen në Graçanicë kjo pas vendimit të peshkopit, Teodosije Shibaliç.

Dioqeza e Rashkë-Prizrenit ka vendosur për ndryshim lokacioni me arsyetimin e “situatës aktuale të sigurisë”.

Përveç një numri të konsiderueshëm të serbëve të cilët kanë filluar grumbullimin që nga ora 7:00 e mëngjesit të pranishëm në manastirin e Graçanicës janë edhe pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-it e Policisë së Kosovës.

Një ditë më parë Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë për festën e Kurban Bajramit dhe Vidovdanit, ndërsa ka publikuar një varg masash që këto festa të shënohen pa incidente.

Policia ka njoftuar se një nga masat është edhe mbyllja e hyrje daljeve në qytetin e Graçanicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore