Pajisje

Biçikleta elektrike e frymëzuar nga më e vjetra e Harley-Davidson


Harley-Davidson, thuajse një vit pasi prezantoi planet për të nxjerrë kompaninë e vet të biçikletave elektrike të quajtur Serial 1, ka pohuar se do të shesë një numër “të kufizuar” të modeleve të frymëzuara nga më e mira e së vjetrës.

Faqja kushtuar teknologjisë, “The Verge”, tregon se  S1 Mosh/Tribute është një homazh për “Serial Number One”, nofka për motorin më të vjetër të njohur të Harley-Davidson të ndërtuar në vitin 1903.

Dizajni i biçikletës, me gomat e bardha, ndenjësen dhe dorezat prej lëkure, si dhe kornizën e zezë të hijshme me shkronja ari, risjell prototipin e parë të kompanisë.

Nën bojën e zezë me shkëlqim dhe pjesëzat e lëkurës me ngjyrë mjalti, biçikleta është identike me modelin e nivelit fillestar Mosh/Cty të Serial 1. S1 Mosh/Tribute dhe disponon shumë nga karakteristikat e tij identifikuese.

Këto përfshijnë një rrip Gates Carbon Drive, motor Brose me shpejtësi të mesme, frena hidraulike disku TRP, kabllo dhe tela të drejtuar brenda, si dhe ndriçim të integruar.

Kurse gomat e bardha Schwalbe Super Moto-X janë ekskluzive për Serial 1. Ngjashëm edhe ndenjësja prej lëkure dhe kapëset lëkurë që janë bërë me dorë nga Brooks England.

Sipas “The Verge”, modeli është një përditësim që me siguri do të kënaqë konsumatorët potencialë, të cilët fillimisht u zhgënjyen kur Harley-Davidson nuk pranoi të tregonte nëse do ta vinte sërish në prodhim prototipin tetorin e kaluar.

Nga ana tjetër, është një tregues se kompania po anon në rrënjët e saj, duke u mbështetur në oferta unike ekskluzive teksa përpiqet të ndërtojë një identitet të markës në atë që po rezulton të jetë një hapësirë ​​tepër e mbushur me konsumatorë dhe konkurrentë.

Muajin e kaluar, kompania prezantoi një seri biçikletash elektronike ekskluzive të një lloji që u shitën në ankand nën emrin e markës së serisë 1-OFF, me ofertën e parë Mosh/Chopper të frymëzuar nga Schwinn Sting-Ray.

Asokohe, kompania deklaroi se ashtu si në botën e motoçikletave, personalizimi do të luante një rol të madh në mënyrën sesi Serial 1 mendon për llojet e dizajnit të biçikletave elektronike.

S1 Mosh/Tribute do të shërbejë si një “trampolinë për të lancuar Serinë tonë S1 që do të shohë modele edhe më ekskluzive dhe shumë të dëshirueshme të Serial 1 eBike në të ardhmen”, ka zbuluar menaxheri i produktit, Aaron Frank, në një deklaratë.

Deri më tani, Harley-Davidson ka njoftuar se do të prodhojë vetëm 650 njësi, gjysma e të cilave do të jenë të disponueshme për blerje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa gjysma tjetër në Evropë.

Ndërkohë, klientët e interesuar mund të porosisin paraprakisht një të tillë biçikletë duke filluar që tani në faqen e internetit të kompanisë dhe dërgesat pritet të fillojnë në tremujorin e katërt të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore