Lajme

Bërnabiç thotë se Serbia do t’i hetojë të gjitha rrethanat e sulmit terrorist


Ana Bërnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka bërë të ditur se Serbia do t’i hetojë të gjitha rrethanat në të cilat ka ndodhur sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Manastirin e Banjës të dielën e 24 shtatorit.

Duke folur për terroristin dhe të sanksionuarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Milan Radojiçiçin, i cili morri përgjegjësinë për organizimin e sulmit, Bërnabiç tha se Serbia “do të bëjë gjithçka që mundet në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën për të vepruar siç parashihet”.

“Serbia është shtet ligjor”, ka thënë ajo.

Bërnabiç e cila nuk është distancuar nga terrorizmi ka vazhduar me propagandë duke theksuar se “nuk e arsyeton” vrasjen e askujt e as vrasjen e zyrtarit policorë mirëpo sipas saj “serbët në Kosovë janë duke vuajtur nga presioni i vazhdueshëm, prandaj ka qenë çështje ditësh, çështje minutash, deri tek incidenti”.

Ndryshe Gjykata e Lartë në Beograd ka njoftuar se e ka liruar nga mbajtja ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojiçiçin, një ditë pas marrjes në pyetje.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radojiçiçin, pas intervistimit.

Prokuroria kishte kërkuar paraburgimin e tij, një ditë më parë, me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore