Shqipëria

Berisha premton ekstradimin e Ramës në SHBA


Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka premtuar se me ardhjen e tij në pushtet, do të japë dritën jeshile për SHBA-të, që të ekstradojnë kryeministrin aktual të vendit, Edi Rama, lidhur me çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal.

Ky i fundit, është në gjykim nga autoritetet amerikane, sa i përket akuzave për deklarime të rreme, falsifikim dokumentesh dhe i akuzuar për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska.

Vetë Rama përmendet në dosjen e McGonigal, si person që e ka takuar ish-zyrtarin e FBI-së, gjatë kohës kur ai ka qenë ende në detyrë dhe Rama kryeministër.

Megjithatë, kreu i Qeverisë nuk përmendet në aktakuzë si i implikuar.

Pavarësisht kësaj, Berisha dhe gjithë opozita shqiptare, e kanë akuzuar Ramën se ka lidhje të forta me McGonigal dhe se ai ka përfshirje të drejtpërdrejtë në rastin e ish-zyrtarit të FBI-së.

Përtej kësaj, Berisha garantoi se PD-ja do të ndihmojë SHBA-të në hetim, duke dhënë prova të qenësishme lidhur me rastin.

Njëkohësisht, ish-kryeministri ka komentuar edhe vizitën e zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, në Tiranë, ku ky i fundit e ka lënë jashtë agjendës së takimeve Berishën.

“Unë e ndoqa vizitën e ndihmës Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar në Tiranë. Mua, ajo vizitë më pëlqeu”, komentoi ai.

Sa i takon ndarjes së fondeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku sërish grupimi i Berishës u la jashtë përfitimit, ai e cilësoi aktin si një shëmbëlltyrë reale të regjimit.

“Një nga aktet më të turpshme, më të shëmtuara është se mundi, djersi dhe taksat e 620 mijë qytetarëve që votuan PD-në, grabiten nga një grup, pengje të Edi Ramës”, tha ai përballë gazetarëve.

Në vijim, akuzoi edhe kryetarin e komanduar të forcës së djathtë politike, Enkelejd Alibeaj, si edhe ish-kryetarin e bluve, Lulzim Basha, se ata janë bërë njësh me regjimin dhe po keqpërdoren nga kryeministri.

Ndërsa, mbi rastin e një atentati me tritol që i është bërë kreut të PD-së së Berishës në Vaun e Dejës, Benard Ndreca, ish-kryeministri akuzoi drejtpërdrejt Ramën, duke thënë se ky i fundit hapi fushatën e tij duke përhapur frikën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore