Shqipëria

Berisha ankimon në KAS vendimin e Celibashit për të mos e regjistruar në zgjedhje


Drejtuesi i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka ankimuar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili nuk e njohur atë si kryetar legjitim të forcës politike dhe e la të paregjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Në bazë të një njoftimi zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Berisha e ka bërë ankesën menjëherë pas bërjes publik të vendimit të arsyetuar të Celibashit, lidhur me regjistrimin apo jo të PD-së në zgjedhje.

Ky i fundit, pasi shqyrtoi dokumentacionin dhe dëgjoi palët në pretendimet e tyre, vendosi se ligjërisht, kryetar i forcës së djathtë mbetet Lulzim Basha, duke njohur është grupimin e Enkelejd Alibeajt, si PD legjitime.

Mirëpo, sërish, edhe për këta të fundit, Celibashi ka lënë një afat 48-orësh për plotësim dokumentacioni, ku firma e Bashës kërkohet për të regjistruar partinë në zgjedhje, pasi ajo ende mbetet jashtë listës.

Në kërkesën që Berisha ka bërë ndërkohë, qartësohet se ai pretendon ndryshimin e vendimit, duke e përcaktuar procedurën korrekte si “regjistrimin e PD të përfaqësuar nga kryetari Sali Berisha si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Mbi këtë rast, Celibashi ka qenë i qartë se juridikisht, Berisha nuk figuron në regjistrat e Gjykatës si kryetar i PD-së dhe ndaj, nuk mundet të ketë regjistrim të tillë.

Teksa, lidhur me çështjen Alibeaj, është ky i fundit, që ka kohë deri në mesnatën e 11 marsit, për të plotësuar dokumentacionin.

Me skadimin e këtij afati, komisioneri do të marrë vendim bazuar në dosjen që ekziston dhe mbi aspektin ligjor të parashikuar në Kodin Zgjedhor.

Vetë Alibeaj ka thënë se prej një viti Basha nuk është kryetar i partisë, duke ia deleguar atij kompetencat e përfaqësimit ligjor dhe kësisoj, plotësim dokumentacioni nuk do të ketë.

Alibeaj ka afat deri në mesnatë për firmën e Bashës, më pas Celibashi merr vendimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore