Shqipëria

Alibeaj ka afat deri në mesnatë për firmën e Bashës, më pas Celibashi merr vendimin


Ka qenë i qartë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, lidhur me situatën e krijuar me regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit 2023.

“Afati skadon në mesnatë ligjërisht, për plotësimin e dokumentacionit. Më pas, vendos unë në bazë të ligjit”.

Kështu ka thënë ai gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, i pyetur për çështjen që ka trazuar sërish ujërat brenda të djathtëve, të cilët për të parën herë në historinë e pluralizimit, mund të mos përfaqësohen me siglat zyrtare të Partisë Demokratike në zgjedhje vendore.

Mirëpo, nga ana tjetër, po aq i prerë ka qenë edhe vetë Enkelejd Alibeaj, kryetar i Grupit Parlamentar demokrat dhe drejtues i fraksionit që zotëron vulën juridike të PD-së.

Firmë nga Lulzim Basha në dokument dhe plotësim të mëtejshëm dokumentacioni nuk do të ketë, pasi ish-kryetari i demokratëve, është dorëhequr prej një viti dhe delegimi i kompetencave për drejtimin e forcës politike, i ka kaluar atij vetë.

Kështu e ka reflektuar ai situatën, duke i dërguar Celibashit një shkresë për dijeni, ku saktësohet se Basha nuk është më drejtues i partisë dhe për këtë arsye, nuk mundet të firmosë asnjë dokument.

Celibashi gjithsesi, e ka shmangur çdo koment të mundshëm lidhur me këtë komunikimin dhe ka treguar se ai do të marrë vendimin vetëm pas përfundimit të afatit zyrtar për dorëzimin e asaj çfarë ai ka kërkuar.

Ndër të tjera, Komisioneri ka theksuar se përfaqësues ligjor i demokratëve në KQZ, është Indrit Sefa, duke e njohur legjitimitetin e tij në këtë rol.

Teksa, sa i përket regjistrimit të komisionerëve demokratë në KZAZ, vendim i cili u mor më 10 mars, Celibashi bëri me dije se akti ishte në përputhje me parashikimet e Kodis dhe është ndërmarrë për të mos krijuar asnjë ngërç në proces.

Por, nëse PD-ja nuk regjistrohet në zgjedhje pas vendimmarrjes së tij, atëherë edhe vendimi për komisionerët mund të ndryshojë, siç ka lënë ai të kuptohet.

Për këtë gjithsesi, do të duhet të shihet fillimisht vendimi mbi regjistrimin e PD-së.

Me vulë, por pa firmë – Do të ketë PD në zgjedhjet vendore të 14 majit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore