Shqipëria

Me vulë, por pa firmë – Do të ketë PD në zgjedhjet vendore të 14 majit?


E ka sigurinë më të plotë kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, se Parti Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, do të ketë dhe për këtë, nuk ka asnjë diskutim.

Duket e thjeshtë gjithçka në letër, por një paralajmërim i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e ka bërë të qartë po ashtu se pa firmën e Lulzim Bashës – prej një viti i tërhequr nga drejtimi i forcës së djathtë politike ky i fundit – regjistrim të PD-së në zgjedhje nuk ka.

Në këto kushte, e ka Alibeaj një “as nën mëngë”, pasi korri një “fitore” në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me përkatësinë juridike të partisë, e cila i takon grupimit të tij dhe jo mazhorancës që Sali Berisha ka brenda demokratëve?

Vetë Alibeaj e ravijëzoi në një dalje për mediat se firmë nga Basha nuk ka dhe nuk do të ketë.

Por, nga ana tjetër, ai po ashtu theksoi se për firmën e Bashës nuk do të ketë nevojë dhe regjistrimi do të ndodhë.

Mënyra si ai pretendon ta bëjë këtë, është duke paraqitur në KQZ dokumentacione shtesë për plotësimin e dosjes, duke krijuar një narrativë se me largimin e Bashës nga drejtimi i partisë, lidershipi i ka mbetur atij vetë në dorë dhe ndaj, ai vetë e ka fuqinë juridike për të vendosur mbi regjistrimin e demokratëve me siglat dhe simbolet përkatëse.

Mirëpo Celibashi, nuk është tërhequr në asnjë çast nga thirrja e tij se brenda 48-orëve, PD-ja e vulës, duhet të paraqesë dokumentacionin plotësues.

Ai afat i caktuar, përfundon pikërisht sot, ndaj edhe ka interes të shihet si palët do të veprojnë.

Gjithashtu, pavarësisht se që prej sekondit të parë të vendimit të Celibashit, përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Indrit Sefa, bëri me dije se vendimi do të ankimohet në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, një gjë e tillë nuk është lënë të kuptohet nga Alibeaj.

Ai madje iu shmang pyetjes mbi ankimimin e rastit në KAS dhe përkufizoi thjesht faktin se ka bindjen që në zgjedhje, një PD do të jetë në listë, për të vënë qytetarët preferencën e tyre.

Gjithë kjo, në çastin kur ai pas një heshtjeje të gjatë, rikthen takimet me një pjesë të deputetëve dhe strukturave demokrate, duke deklaruar se deri në datën 20 mars, do të kenë edhe emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe këshilltarë bashkiakë në gjithë vendin.

Me Berishën “jashtë loje” për garimin nën siglën e PD-së dhe me thuajse një vit post-dorëheqje të Bashës, ky i fundit sërish e ka koklavitur me vendimin e tij të cunguar për delegim kompetencash, situatën e një Partie Demokratike zyrtare.

Ku tashmë, nga një front me dy PD të ndara në votime, mund të kemi një front me një PD nën ombrellën e Partisë së Lirisë dhe një tjetër, që ndoshta mundet të mos jetë aty fare!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore