Sport

Benzema arrin rekordin e Raul Gonzalez


Futbollisti i Real Madrid, Karim Benzema, ka barazuar rekordin që mbante legjenda e klubit madrilen Raul Gonzalez, duke u bërë futbollisti i dytë që iu shënon gol 35 skuadrave të ndryshme me fanellën e Realit.

Benzema këtë rekord e arriti të mërkurën mbrëma, ku Reali e mposhti Cadizin me rezultat 0:3, në të cilën francezi shkëlqeu duke realizuar dy gola.

Një rekord të tillë nuk e kishte realizuar as edhe legjenda tjetër e klubit, Cristiano Ronaldo, i cili është golashënuesi më i mirë në histori të klubit madrilien.

Dy golat e shënuar së fundmi ndaj Cadizit e kanë futur francezin në garë edhe për golashënuesin më të mirë të sezonit në La Liga, pasi me 21 gola tani gjendet vetëm dy larg Lionel Messit, i cili ka 23 gola deri tani.

Për më tepër, golat e tij kanë kontribuar në një serie prej 12 ndeshjeve pa humbje për Real Madrid në La Liga, dhe ata tani qëndrojnë në krye të tabelës bashkë me Atletico Madrid.

Ndërsa, që prej transferimit të tij në vitin 2009 nga skuadra franceze Lyon, Benzema ka arritur të shënojë 276 gola në 551 paraqitje në të gjitha garat për mbretërit.

Benzema gjithashtu po tregon formë shumë të mirë në Ligën e Kampionëve dhe në këtë sezon Real Madridi gjendet në fazën gjysmëfinale, në të cilën 33-vjeçari ka shënuar pesë gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore