Zgjedhjet në Shqipëri

BE: Zgjedhjet në Shqipëri ‘në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR’


Në një deklaratë të përbashkët të përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, dhe komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerimin, Olivér Várhely, thuhet se zgjedhjet ishin në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR.

“Sipas konkluzioneve paraprake të OSBE / ODIHR, zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore”, vijohej më tej në deklaratë.

Gjithashtu u vlerësua edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ku shkruhej se ishte një institucion i “reformuar” dhe mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë “transparente”.

Borrel dhe Várhely bënë thirrje që forcat politike të sigurojnë funksionimin efektiv dhe demokratik të institucioneve të vendit, si rezultat i këtyre zgjedhjeve. Gjithashtu, në deklaratën e përbashkët kërkohej dhe që çdo parregullsi të hetohej siç duhet.

“Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik të respektimit të rezultatit të zgjedhjeve. Çdo parregullsi e pretenduar duhet të sillet me vëmendje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës”.

Ata shtuan se procesi i numërimit duhet të vazhdojë dhe palët e përfshira të procedojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e vendosura.

Në deklaratë mësohet se delegacioni i BE-së do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet elektorale deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.

Zyrtarët e BE-së vlerësuan rrugën e bërë nga Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, ku thuhej se vendi ka “treguar këmbëngulje në ndjekjen e reformave të vështira në interes të popullit shqiptar”.

“Ne presim që parlamenti dhe qeveria e re të vazhdojë ndjekjen e axhendës së reformave me vendosmëri, veçanërisht në lidhje me Sundimin e Ligjit. Ne përsërisim thirrjen tonë për dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët politike”, mbyllej deklarata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore