Lajme

BE, plan për hapjen e udhëtimeve brenda verës


Me verën në prag dhe me vende, ekonomitë e të cilëve varen nga turizmi, Bashkimi Evropian po përgatit një plan për hapjen e kufijve, edhe për personat që nuk janë të vaksinuar.

Sipas këtij projekti, mbi 450 milionë qytetarë do të lejohet të qarkullojnë lirshëm brenda BE-së. Blloku me 27 vende do të shohë lehtësira të mëdha për sa i përket udhëtimeve të brendshme.

Diskutimet konkrete do të fillojnë javës tjetër, gjatë samitit të krerëve të BE-së. Këtu parashikohet edhe krijimi i certifikatës së vaksinave dhe lehtësimit të udhëtimit për qytetarët që nuk janë të vaksinuar.

“Të gjithë duam që sezoni turistik të fillojë. Nuk mund t’i lejojmë vetes të humbasim një tjetër verë”, tha zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova. “Turizmi, kultura dhe sektorët e tjerë që janë të varur prej tij, do të vuanin shumë pa marrë hapa. Po flasim për dhjetëra miliona vende pune”.

Diskutimet e para kanë nisur prej javësh por kanë qenë përçarëse. Vendet si Greqia dhe Spanja janë në nevojë të madhe për rikthimin e turistëve në vendet e tyre. Italia gjithashtu. Pikërisht për këtë shkak, këto vende kanë rikthyer masat e ashpra, për t’u siguruar se numri i rasteve aktive do të jetë i ulët gjatë sezonit turistik.

Disa vende të tjera brenda unionit ndërkohë, argumentojnë se do të ishte e parakohshme të ndiqej ky hap. Mbi të gjitha, kur shumica e qytetarëve të BE-së nuk janë vaksinuar. Ndër qëndrimet më kritike i ka mbajtur Franca mbi këtë çështje.

Gjithsesi, plani i Evropës është që përpara verës të vaksinohen rreth 70% e popullatës brenda unionit. Nëse ky qëllim arrihet, atëherë i çelet porta edhe hapjes së kufijve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore