Lajme

BE-ja i rekomandon Kosovës reformimin e sektorit të energjisë


Bashkimi Evropian në takimin vjetor të dialogut ekonomik dhe financiar të Këshillit të BE-së i ka rekomanduar Kosovës që të reformojë edhe sektorin e energjisë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës.

“Kosova u tha se duhet të reformojë sektorin e energjisë për të përmirësuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike dhe tranzicionin drejt burimeve të ripërtrishme. Kosova gjithashtu u tha se duhet të vazhdojë të trajtojë informalitetin në ekonomi, të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe konkurrencën në sektorin privat”, thuhet në komunikatë.

Gjatë këtij takimi është thënë se është shqyrtuar edhe Programi i Reformës Ekonomike të Kosovës 2023-2025.

“Sipas këtij raporti, aktiviteti ekonomik në Kosovë përgjatë vitit 2022 u nxit nga mbështetja e konsiderueshme e Qeverisë për të zbutur ndikimin e krizës energjetike. Megjithatë u theksua se vendi duhet të marrë parasysh rreziqet ekonomike në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës, veçanërisht lidhur me çmimet e ushqimeve dhe energjisë, si dhe dinamikën tregtare me partnerët kryesorë tregtarë”.

“Diskutimet u fokusuan edhe në zbatimin efektiv të reformave strukturore për të nxitur rimëkëmbje të qëndrueshme, duke mbështetur politikat e qëndrueshme makroekonomike dhe fiskale”.

Kurse gjatë këtij takimi u theksua se mbledhja e taksave në Kosovë ka pasur rritje dyshifrore për shkak të luftimit të ekonomisë joformale dhe inflacionit.

Ndërsa u paraqit edhe nevoja për reformimin e sistemit të sigurimeve shoqërore.

Ndryshe, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka bërë të ditur se në Bruksel të martën e 16 majit janë miratuar konkluzat e përbashkëta në kuadër të takimeve të rregullta të dialogut për ekonomi e financa me Bashkimin Evropian.

Të gjitha vendet kandidate dhe kandidatët potencialë në Bashkimin Evropian paraqesin Programet vjetore të Reformës Ekonomike (PRE) në Komisionin Evropian.

Këto programe miratohen me udhëzime politikash specifike për secilin vend, të cilat rrjedhin nga prioritet e politikave ekonomike për 12 muajt në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore