Lajme

Miratohen konkluzat e përbashkëta të dialogut për ekonomi e financa me BE-në për Kosovën


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka bërë të ditur se në Bruksel të martën e 16 majit janë miratuar konkluzat e përbashkëta në kuadër të takimeve të rregullta të dialogut për ekonomi e financa me Bashkimin Evropian.

Lajmin e ka bërë të ditur Murati përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sot në Bruksel miratuam konkluzat e përbashkëta në kuadër të takimeve të rregullta të dialogut për ekonomi e financa me BE-në”.

“Për Kosovën, ndër tjera është vlerësuar rritja e të hyrave tatimore si rezultat i luftimit të informalitetit, dhe progresi i bërë në thjeshtësim e digjitalizim të ambientit të të bërit biznes”, ka shkruar Murati.

Më 6 prill, Administrata Tatimore e Kosovës përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur se të hyrat tatimore nga janari deri me 31 mars 2023 kanë shënuar rritje për 32.8 milion euro apo 18.5 për qind me shumë, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Shuma e përgjithshme e të hyrave të mbledhura për këtë tremujor është gjithsej 210.4 milion euro, ku kemi më shumë të hyra të mbledhura për 6.2 milion euro krahasim me planin për këtë periudhe”, thuhet në njoftim.

Sipas ATK-së, faktorët të cilët kanë ndikuar rritjen e të hyrave,  janë reformat e shumta të cilat ka ndërmarr ATK vitet e fundit, siç janë konsolidimi i funksionit në mbledhjen dhe trajtimin e borxheve tatimore, digjitalizimin e 100% të shërbimeve ndaj tatimpaguesve, projektet e përmbushjes tatimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore