Përballje

Basketboll/ Kosova mposhtet nga Danimarka


Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje të thellë nga Danimarka me rezultat 105:71.

Kjo ishte ndeshja e fundit për dardanët në këtë rreth parakualifikues të FIBA Eurobasket 2025, derisa tani Kosova humbet shpresat për ndonjë kualifikim eventual, pasi gjendet të fundit në Grupin C.

Pas një fillimi të barabartë, Danimarka për një nuancë ishte më e mirë, të cilët krijuan një epërsi të lehtë që e shtuan me kalimin e minutave, ku më e larta ishte 26:14, kurse pesë pikë radhazi nga dardanët, bën që çereku i parë të përfundojë me rezultat 26:19.

Epërsia e danezëve u ngrit sërish në periudhën e dytë, 32:21, megjithatë basketbollistët e Kosovës nuk u dorëzuan për të ngushtuar shifrat në 38:34, por në fund të kësaj pjese, Danimarka kishte një seri të suksesshme për të shkuar në pushim me rezultat 46:36.

Dallimi më i madh u bë në periodën e tretë, ku vendasit ishin më të mirë dhe arritën epërsi deri në 26 pikë, 73:47, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 76:53.

Në dhjetë minutat e fundit nuk kishte shumë ndryshime dhe Danimarka fitoi me rezultat 105:71.

Te Kosova u dalluan Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi me nga 17 pikë.

Kosova përfundon grupin me një fitore dhe tri humbje, ndërsa Danimarka dhe Norvegjia kanë nga dy fitore e një humbje. Këto dy Përfaqësuese do të takohen të dielën për vendin e parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore