Shqipëria

Basha përforcon rikthimin në PD: “Ndryshimin mund ta sjellim të gjithë bashkë”


Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përforcuar më tej rikthimin e tij për frerët e selisë blu duke folur për një “ndryshim që mund ta sjellim të gjithë bashkë”.

“Më shumë se 70% të qytetarëve e ka refuzuar këtë teatër politik, që nuk ka asnjë zgjidhje për familjet shqiptare. Kjo shumicë e heshtur kërkon një ndryshim rrënjësor në politik-bërjen e vendit, një ndryshim që patjetër mund ta sjellim të gjithë bashkë!”, shkruan në median sociale “Facebook” ish-kryedemokrati.

Sipas tij, kjo kohë “reflektimi” i shërbeu për të parë edhe më qartë sesi ky sistem politik “ka degraduar në një shfaqje që ka në qendër hallet e politikanëve, jo problemet e qytetarëve”.

“Sherret, akuzat dhe baltosja nuk mund të jenë përgjigjja për sfidat e mëdha që ka Shqipëria”, ravijëzon ai në përmbyllje.

Më herët, Basha përmes një postimi në Twitter do të reagonte ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha se ishte “vegël në duar” të kryeministrit Edi Rama.

“Të kishte sulmuar Ramën aq sa ka sulmuar ata që nuk mendojnë si ai, rezultati nuk do të ishte ky. Por halli i SB është tjetër nga hallet e qytetarëve”, shkruante Basha në Twitter.

Sipas tij, “sot si dje ai shpik e kërkon armiq për të fshehur dështimin që mbolli duke vendosur interesin e tij mbi atë të demokratëve”.

Në një deklaratë për mediat gjatë 25 majit jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha e ironizoi me të qeshura mundësinë e rikthimit të Bashës në krye të PD-së.

Ai tha se kjo është shaka, dhe se Basha duhet të pyesë Ramën nëse e lejon apo jo.

“Ç’më tremb ai mua, po e përdor Rama si do. Mos bëj shaka. Të pyes e lejon Rama apo jo, është vegël në duar të Ramës. Bën se çfarë i thotë ai”, theksoi ish-kryeministri.

Megjithatë, kthimi i një retorike replikash mes të dyve, në distancë, tregon se kauza e PD-së mbetet ende pikë kyçe dhe se asnjë nga ata, nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Hibernimi i tretë i Bashës, me Berishën në ‘final countdown’

Pse duhet të rikthehet Lulzim Basha edhe një herë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore