Shqipëria

Hibernimi i tretë i Bashës, me Berishën në ‘final countdown’


Me dy gishtat lart, një gjuhë trupore të pangatërrueshme dhe me buzëqeshjen rrallë të shterur në fytyrë, pa asnjë pikë djerse në ballë, i drejtohet podiumit mitingor Sali Berisha, për të përcjellë mesazhet politiko-syrgjynosëse ndaj kundërshtarit.

Është viti 2005 dhe me tingujt e “Final Countdown” nga grupi i njohur Europe, do të shënjohej ardhja në pushtet e ish-kryedemokratit, i cili nxirrte nga politika kështu paraardhësin e tij në detyrë, Fatos Nanon.

Po në atë vit, në njësinë numër 7 në kryeqytet, përballë Arben Ahmetajt, një djalë i ri, i cili kishte mbajtur disa detyra me rëndësi jashtë vendit, kthehej për të testuar veten politikisht.

Emri i tij është Lulzim Basha dhe shumë shpejt do të kthehej në një aleat kryesor të Berishës, disa herë ministër në kabinetin e këtij të fundit, për t’u ngjitur më pas në majën piramidale të Partisë Demokratike.

Në 30 vjet politikë, nuk njihet Berisha për gjë tjetër më mirë, se sa gjuhën denigruese që ka ndaj rivalëve politikë, por edhe ndjesinë e mbrojtjes që ka karshi aleatëve, të cilët i peshon mirë.

Po në 30 vjet politikë, nuk ka ndoshta akuza më të forta të hedhura nga Berisha, se sa ndaj atij, të cilin aleatin më të madh rreth vetes e gjeti në dy dekadat e fundit.

Kur Lulzim Basha arriti të fitonte Bashkinë e Tiranës përballë Edi Ramës, në vitin 2011, katër vitet e ardhshme do të përqendroheshin në sulme ndaj tij (pasi u bë edhe kryetar i PD-së), me etiketime si një “gjumash i paepur”, i cili nuk bënte asgjë për kryeqytetin e shqiptarisë.

Ishte Berisha, ai i cili e mbronte me fanatizmin më të madh dhe i qëndronte në krah të djathtë, kundrejt të gjithëve.

Është po Berisha, ai i cili Bashën e ka kthyer sot në armikun e tij më të madh.

Edhe më të madh se sa Edi Ramën, të cilin e ka “shpallur” armik.

Prej përcaktimit si non grata nga SHBA-të, raporti Berisha-Basha është kthyer në raportin e dy protagonistëve antagonistë të një sage ku përfitues është i “i treti në valle” (Edi Rama).

Cilat janë fjala bie, në rend kronologjik, disa prej akuzave që Berisha i ka bërë Bashës këto dy vjet, përfshi edhe pas dorëheqjes dhe hibernimit të këtij të fundit nga drejtimi i partisë?

“Pengu i Edi Ramës firmosi për të larguar Berishën nga PD dhe mori pjesë në skenarin e shpalljen sime non grata për qëllimet e tija”.

“Paska qenë keqësisht i kapur dhe mendoi se në atë mënyre do shpëtonte lëkurën e tij. Por unë i thashë: e vërteta vonon por nuk harron”.

“Sot u faktua se Lulzim Brava është në një aleancë krimi, dhune ndaj demokratëve dhe PD-së me Edi Ramën”.

“Lulzim, kudo që të shkosh, para teje shkojnë dosjet e tua”.

“I vetmi koment për Lulzim Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse. Kjo është shumë serioze”.

Pa përfshirë, Berisha, nuk ka lënë as ambasadorë të huaj, si rasti i asaj amerikane, Yuri Kim, me të cilën e ka edhe personale çështjen.

“Kam një pyetje për zonjën Yuri Kim: A mund t’u shpjegosh shqiptarëve, në emër të kujt bëre gjithçka për të mbështetur, pas akuzave të qarta të qeverisë tënde, zyrtare, për financime ruse të Lulzim Bashës, bëre gjithçka për të mbështetur qëndrimin e tij në krye të PD?”.

“Merre këtë kufomë politike”, i tha madje ambasadores amerikane për Bashën, të cilin mendoi se e çrrënjosi prej themeleve.

Është e vërtetë se Basha në thelb, i ka pasur tre hibernime gjatë karrierës politike.

Të parin, e ka pasur kur ishte në zyrën e qytetarit të parë të Tiranës dhe rivalët politikë, ia përmendin ende si faktor kundër.

Të dytin, kur “ngriu” funksionet e veta në drejtimin e partisë pas zgjedhjeve të vitit 2017 (humbëse për PD-në) dhe në vend që të dorëhiqej krejtësisht dhe t’i hapte rrugë një gare më të drejtë, vijoi të qëndronte në hije, derisa me shumicë dërrmuese votash rifitoi garën për kreun e demokratëve.

Të dy të parat megjithatë, e kanë parë Berishën pro Bashës, deri në ndarjen e madhe.

Është hibernimi i tretë, ai i tërheqjes nga kryesimi i PD-së dhe një sprapsjeje thuajse totale nga politike, ai i cili vlen të analizohet më së shumti.

Si fenomen në tërësi, hibernimi nuk lidhet vetëm me ristrukturimin e fuqive fizike, por edhe një paqeje mendore dhe kthjelltësimi ideologjik.

Në këtë kohë “përgjumjeje” të Bashës, ishte Berisha ai i cili shpenzonte e shpenzonte, me akuza të vijueshme, të cilat binin në veshin jo të shurdhët të Bashës, por të frekuencuar aty ku duhej.

Përkundër instinktit për t’u zgjuar, Basha e mbajti regjimin e përcaktuar dhe daljet, i pati të dedikuara për sa duhej dhe për se duhej.

Me disfatën zgjedhore të demokratëve më 14 maj mbi të gjitha, rikthimi i tij bën sens përtej të kaluarës.

Më shumë se sot ndoshta, nuk ka pasur ditë më të mirë për Bashën politik, i përligjur në taktikat dhe tezat e tija, i justifikuar në qëndrimet e vështira të mbajtura me hijen e Berishës nga pas, me dy kauza të mëdha rikthimi në krah (PD-ja me të më e fortë se me Berishën dhe lufta ndaj Ramës me të, më e frytshme se me Berishën).

Për të parën herë në shumë muaj, dishepulli i reagoi mjeshtrit pas akuzave, duke i thënë se “po të kishte sulmuar Ramën aq sa ka sulmuar ata që nuk mendojnë si ai, rezultati nuk do të ishte ky”.

Ashtu si në vitin 2005 e pa të ngjitej në tribunën e Tiranës për fitoren, sot Basha ka vendosur kufjet dhe në to, po dëgjon “Final Countdown”-in e Berishës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore