Shqipëria

Basha, masakra zgjedhore dhe 185 paditë e PD-së


Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, ka vijuar me akuzat mbi pretendimin e një masakre zgjedhore në parlamentaret e 25 prillit në Shqipëri, ku fituese u shpall Partia Socialiste me 74 mandate.

Me zgjedhjet tashmë të certifikuara, pretendimi i Bashës, vijon të mos ndryshojë. Sipas tij, raporti i publikuar më 26 korrik nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), e vërteton masakrën zgjedhore që ai pretendon.

Këtu, duke shtuar edhe faktin se demokratët kanë dërguar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe prokuroritë e rretheve, 185 padi për krime zgjedhore.

“Ne presim drejtësi, sepse shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa u ndëshkuar autorët e kësaj masakre, pa u kthyer legjitimiteti në vend, nuk do të kemi një pushtet të njerëzve për njerëzit”.

Kështu e përmbyll Basha postimin e tij, me fjalët e ish-presidentit amerikan, Abraham Lincoln. Mbi të gjitha, duke përmendur se në të kundërt, do të ketë sundim të një pakice të korruptuar që varfëron dhe shpopullon.

Por çfarë thuhet konkretisht në raport?

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri, duke i cilësuar ato si të mirëorganizuara nga administrata zgjedhore.

Në bazë të raportit, të drejtat kushtetuese për çdo qytetar mbi zgjedhjen e lirë të kandidatëve, u zbatuan. Po ashtu, Kodi Zgjedhor ofron fushën e përshtatshme për të zhvilluar zgjedhje demokratike.

Përtej kësaj, kandidatëve të pavarur nuk u ofrohet e njëjta e drejtë për t’u zgjedhur si kandidatët e subjekteve politike. Kjo, për shkak të pragut zgjedhor.

Ngritja dhe formatimi i ri i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ka qenë e mirë sipas raportit. Këtu, duke përmendur tre degëzimet e krijuara tashmë, me Komisionerin Qëndror të Zgjedhjeve, Komisionin Rregullator dhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Liria e zhvillimit të fushatës zgjedhore është pranuar po ashtu si e frytshme.

Rekomandimet

Rekomandimi kryesor nga OSBE-ja, vjen mbi aspektin ligjor, i cili sipas raportit, duhet të adresojë thirrjet e ODIHR-it dhe Komisionet të Venecias, për një sërë paqëndrueshmërishë.

Duhet garantuar e drejta e një votimi të lirë dhe të fshehtë. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi votuesit, duhet parandaluar ose proceduar. Po e njëjta gjë sipas raportit, duhet të ndodhë edhe me fenomenin e shit-blerjes së votave.

Të dhënat e qytetarëve duhet të sigurohen. Kjo, duke nxitur edhe qytetarët që të raportojnë raste të faktuara. Institucionet ndërkaq, duhet të hetojnë dhe gjobisin çdo përpjekje të nxjerrjes së të dhënave në publik.

Në pikën e fundit me rëndësi të rekomandimeve, përfshihet edhe media. Kjo e fundit duhet të lejohet të raportojë zgjedhjet në mënyrë të pavarur, duke cekur gjithë aktivitetet elektorale dhe prodhimin e lajmeve.

Qëndrimi i Bashkimit Evropian

Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar mbi raportin e publikuar nga delegacioni i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Sipas njoftimit për shtyp nga ana e BE-së, raporti e konfirmoi faktin se zgjedhjet parlamentare ishin të organizuara mirë nga administrata zgjedhore. Gjithashtu, provon dhe faktin se ristrukturimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte i mirë.

Kjo, duke ravijëzuar faktin se ka pasur një proces transparent, duke gëzuar besimin e të dy palëve si KQZ.

Mbi rekomandimet, theksohet fakti i një kuadri zgjedhor që ka vend për përmirësim. Ky përmirësim vjen duke marrë parasysh rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Vendosja e standardeve ndërkombëtare për zgjedhjet, mbetet pikë kyçe. Nxitje vjen nga përfaqësia e BE-së për Parlamentin e ri, që të ndërmarrë një dialog konstruktiv për trajtimin e rekomandimeve mbi legjislacionin zgjedhor.

Po ashtu, nxitje shkon edhe për autoritetet kompetente shqiptare, lidhur me hetimet dhe procidimet që i përkasin shit-blerjes së votës.

Në përmbyllje, BE-ja cilëson vijimin e përkushtimit për të ndihmuar Shqipërinë në trajtimin e rekomandimeve nga OSBE-ODIHR.

Thirrja amerikane

“Ne kemi mbajtur shënim Raportin Përfundimtar të ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Nxisim të gjitha institucionet përkatëse që të shqyrtojnë rekomandimet e tij për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri”.

Është ky qëndrimi zyrtar nga ana e përfaqësisë së SHBA-ve në Shqipëri, dy ditë pas publikimit të raportit përfundimtar të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), mbi zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas këtij raporti, procesi zgjedhor ka qenë i mirëogranizuar nga adminastrata. Ndërkaq, problematika ka parë në legjislacionin zgjedhor dhe përdorimin e fondeve publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore