Shqipëria

Basha Fiton – pritet vetëm zyrtarizimi


Lulzim Basha, kryetar i PD-së

Vota ‘blu’ e anëtarëve të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë, e cila e zbatoi vullnetin e saj të dielën e 13 qershorit, pritet të konfirmojë Lulzim Bashën si Kryetarin e PD-së. Zyrtarizmi i të hënës është pothuajse një formalitet.

Kjo, sipas të dhënave paraprake të siguruara nga Albanian Post, mbrëmjen e 13 qershorit, nga selia e PD-së. Ato shpallin jo-zyrtarisht fitues, kreun aktual të partisë me mbi 80% të votave.

Numërimi dhe shifrat e para erdhën nga rrethet, prej nga trendi i votave pa dukshëm diferencën e Bashës ndaj tre kandidatëve të tjerë, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.

Midis kandidatëve të tjerë, ndahen rreth 18% të votave të mbetura. Agron Shehaj rezulton si i dyti më i votuar. Edith Harxhi ndjek e treta dhe më i pak i votuari rezulton Fatbardh Kadilli.

Në shifra konkrete, Basha rezulton fitues deri tani i 81.34% të votave. Ai ka marrë 32 mijë e 845 vota të anëtarësisë së demokratëve. Ndjek Agron Shehaj me 6 mijë e 38 vota, Edith Harxhi me 961 vota dhe Fatbardh Kadilli me 763 të tilla.

Me këtë fitore, Basha rikonfirmon brenda PD-së përkrahjen dhe legjitimon arsyetimin e tij për humbjen e radhës në zgjedhjet e 25 prillit, atë të “vjedhjes” së tyre nga socialistët.

Si votuan demokratët shqiptarë në zona të ndryshme?

Numri më i lartë i anëtarësisë së demokratëve, është i përqendruar në Tiranë. Në gjithë njësitë administrative të Tiranës, vihet re një fitore e thellë e kryedemokratit.

Qarku i Durrësit, po ashtu e sheh kryedemokratin në epërsi të thellë votash ndaj tre rivalëve të tij.

Në Vlorë, deri në mbrëmje, Shehaj kishte epërsinë ndaj Bashës në disa zona administrative.

Kandidatët e tjerë, Harxhi dhe Kadilli, nuk ishin gjë tjetër veçse efekte anësore në këto votime. Rivaliteti kryesor ishte Basha-Shehaj.

Ndër zonat e tjera ku vlonjati pati një performancë të mirë, është Fieri, Gjirokastra, Korça dhe Elbasani.

Pavarësisht kësaj, ndryshorja midis tij dhe Bashës është e madhe në tërësi.

Zyrtarizimi dhe rifillimi i punës

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana, doli në deklaratë për mediat, ku theksoi se rezultati i votimit për kreun e Partisë Demokratike do të dalë ditën e hënë, më 14 qershor.

Ai nuk e bëri të ditur orën e saktë.

“Do presim deri nga mesnata degët që janë afër dhe rreth mëngjesit nga degët që janë shumë larg, Tropoja, Saranda, Kolonja”, nënvizoi Gjana.

Basha, theksoi të dielën e 13 qershorit pas votimit të tij, se “beteja e PD-së ka nisur me vlerat e demokracisë”.

Nga konfirmimi i kryedemokratit Basha, pritet të kuptohet edhe fizionomia e udhëheqjes së PD-së.

Kujtojmë që kryeministri Rama në fjalën e tij përballë anëtarëve të Partisë Socialiste, në Kongresin e 30-vjetorit të krijimit të saj, rikonfirmoi ftesën drejtuar opozitës si sfidën e mandatit të tretë.

Fushata kryesore e Bashës, për zgjedhjet e kryetarit, por edhe në takimet elektorale mbas zgjedhjeve të 25 prillit janë përqendruar në sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama dhe një lufte që sipas tij, do të shërbejë për rikthimin e demokracisë në Shqipëri.

“Me këto vlera që na karakterizojnë e kemi nisur betejën për ndryshim. Betejën për largimin e regjimit Rama-Doshi”.

Rama ka shtjelluar se ajo që i duhet Shqipërisë dhe politikës shqiptare, është një debat politik larg atij të shkuarit, të cilin kryeministri, e vlerësoi më së shumti si “sherr” se sa debat konstruktiv.

“Një vijë e hollë na ndan mes lavdisë dhe turpit”, vijoi ai. “Opozitën e zgjedh populli, por ne e kemi dorën gjithnjë të shtrirë, për të mirën e popullit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore