Sport

Barcelona pas talentit portugez të Wolves-it


Pedro Neto është një nga zbulimet e mëdha të këtij sezoni me Wolverhampton-in në Premier Ligë. Ai ka tërhequr vëmendjen e disa ekipeve, mes të cilave edhe Barcelona.

Neto ishte pjesë e Braga-s në Portugali, më pas kaloi në Itali te Lacio dhe në 2019 u transferua në Premier Ligë te Wolves-i. Që pas kalimit te anglezët, rritja e tij ka qenë e jashtëzakonshme.

21-vjeçari këtë sezon ka luajtur 35 ndeshje, në të gjitha kompeticionet, nga ku ka realizuar pesë gola dhe pesë asiste. Paraqitjet e mira të Neto-s, kanë bërë që Adama Traore të përfundoi në stol dhe ai të jetë zgjedhja e parë për teknikun Nuno Espirito Santo-n.

Neto zotëron cilësi që i përshtaten stilit të lojës së Barcelona-s. Ai ka teknikë të lartë dhe vizion për organizimin e lojës, megjithëse luan si sulmues krahu.

Çmimi i lojtarit kap shifrën e 40 milionë eurove. Edhe Juventus-i është pas tij, por duket se Cristiano Ronaldo nuk ka ndikuar aq sa duhet për t’i mbushur mendjen për t’u transferuar në Torino dhe destinacioni më i mundshëm është Barcelona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore