Lajme

Avokati i Popullit konstaton gabime të shumta të institucioneve në rastin e dhunimit të 11 vjeçares


Ilustrim

Avokati i Popullit në prill të këtij viti ka dalë me një raport mbi rastin e dhunimit të 11 vjeçare nga pesë persona, pasi në bazë të Kushtetues Avokati i Popullit ka të drejtë të propozojë masa, nëse vëren shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e organeve të administratës publike dhe organeve të tjera shtetërore.

Në këtë raport ndër të tjera Avokati i Popullit ka konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut, e dështim të institucioneve kyçe.

Raporti vënë në pah se si Prokuroria, Qendra për Punë Sociale, Policia e Mbrojtësit të viktimave, përkundër që ishin në dijeni për rrezikun që i kanosej viktimës, ata nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të mbrojtur atë.

Ndonëse rasti për dhunimin e të miturës ishte inicuar më 28 gusht 2022, në bazë të hetimeve të zhvilluara Policia e Kosovës, më 21 qershor fëmija ishte raportuar si person i zhdukur, ndërkaq policia kishte filluar hetimin për identifikimin e elementeve të veprës penale të trafikimit me njerëz, përkatësisht fëmijës.

Meqenëse vlerësimi fillestar i rrezikut ishte i lartë, më 22 qershor e mitura ishte strehuar në strehimore nën përcjelljen e Policisë. Por, sipas Qendrës për Punë Sociale, prindërit e vajzës pothuajse në baza ditore kishin kërkuar me vendosmëri qe fëmija të largohej nga strehimorja pasi qe sipas tyre qëndrimi aty nuk ishte i përshtatshëm për moshën e vajzës.

Pavarësisht kësaj, gjatë takimit mes Policisë, QPS-së dhe psikologes të mbajtur më 21 korrik të 2022, policia kishte njoftuar se rreziku për vajzën ishte i njëjtë, pra kishte treguar se vlerësimi i rrezikut ishte i lartë. Megjithatë me kërkesën e prindërve dhe fëmijës, ajo ishte kthyer në shtëpi po në këtë ditë.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka ardhur në përfundim se autoritetet shtetërore edhe pse ishin të njoftuar për rrezikun e lartë që i kanosej fëmijës, kishin vendosur që fëmija të kthehej në shtëpi, duke i dhënë prioritet dëshirave të prindërve dhe fëmijës 11 vjeç, pavarësisht rrezikut të lartë.

“Kjo vërteton se autoritetet e përfshira në rast: prokuroria, policia, Strehimorja dhe QPS-ja, ishin në dijeni për ekzistimin e një rreziku real dhe të menjëhershëm të keqtrajtimit të fëmijës, i identifikuar si viktimë, nga veprimet kriminale të një pale të tretë”, shkruhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Kësisoj, Avokati i Popullit vëren se rasti i fëmijës viktimë është adresuar dhe trajtuar nga përfaqësues të institucioneve përgjegjëse , megjithatë qasja e zyrtarëve përgjegjës nuk ka qenë në përputhje me procedurat dhe standardet që kërkohen të zbatohen në rastet kur viktima është fëmijë.

Njëkohësisht, institucionet e përfshira duhej të ishin në gjendje ta perceptonin dhe parashikonin më mirë rrezikun që i kanosej fëmijës, sesa prindërit e fëmijës që konsideroheshin  laik në fushën e ligjit dhe sigurisë publike.

Avokati i Popullit, ka konstatuar gjithashtu se Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, i janë dashur 68 ditë për ekzaminimin dhe tërheqjen e fotove- dëshmive të telefonit të viktimës, e 137 ditë, të bëjë ekzaminimin e ADN-së.

Aty përmendet edhe që Institutit të Mjekësisë Ligjore, i janë dashur rreth 90 ditë që ta dërgojë në prokurori raportin në formë fizike të ekzaminimit.

Raporti në fjalë bënë të ditur se edhe Policia e Kosovës e cila kishte qenë në dijeni për disa emra të personave si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të dhunimit, nuk kishte ndërmarrë veprimet e duhura.

Ky raport i Avokatit të Popullit i është ka dërguar Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Instiutit të Mjeksisë Ligjore, Komunës së Prishtinës si dhe Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore