Pajisje

ASUS prezanton tabletin OLED të palosshëm


Kompania kompjuterike ASUS ka nxjerrë tabletin e quajtur ZenBook 17 Fold, i cili është OLED, i palosshëm dhe me ekran të plotë.

Faqja “Engadget” e të rejave teknologjike tregon se ky tablet shënon një evolucion nga koncepti Project Precog me ekran të dyfishtë që kompania prezantoi në vitin 2018.

ASUS-i nuk e ka lënë veç me kaq produktin e vet të ri teknologjik.

Bashkë me të, për përdoruesit vjen edhe një tastierë Bluetooth me taste me prekje.

Kur ekrani është pjesërisht i palosur dhe tastiera është e pozicionuar në gjysmën e poshtme, pajisja mund të përdoret efektivisht si një laptop 12.5 inç me rezolucion Full HD.

Kurse kur ekrani 17.3 inç është plotësisht i hapur, ai ka një raport pamjeje 4:3, rezolucion QHD prej 2560 x 1920, raport kontrasti 1.000.000:1, gamë ngjyrash 100 për qind DCI-P3, kohë përgjigjeje 0.2 milisekonda dhe ritëm rifreskimi 90 Hz.

Ndërkohë, tableti ZenBook 17 Fold posedon një bateri me kapacitet 75 vat orë, lidhje WiFi 6E dhe Bluetooth 5.2, një sistem me katër altoparlantë Dolby Atmos dhe 1 TB hapësirë ​​ruajtëse NVMe M.2 SSD.

Pajisja vjen me 16 gigabyte memorie LPDDR5, si dhe CPU-në e fundit Intel me grafikë të integruar. Portat janë të kufizuara në një port të vetëm Thunderbolt 4 USB-C dhe një fole audio 3.5 milimetra të kombinuar.

Të dyja, tableti dhe tastiera, peshojnë katër kilogramë, çka për përdoruesit mund të shihet si një disavantazh në transportim. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kompania do ta kapërcejë këtë çështje.

Kurse lidhur me çmimin dhe qëllimin e këtij tableti të ri të ASUS-it nuk dihen ende detaje.

Paçka gjithë karakteristikave, kjo nuk është hera e parë që një prodhues tenton të nxjerrë një tablet-kompjuter të palosshëm.

Ka qenë më herët kompania Lenovo që ka zbuluar versionin e vet ThinkPad X1 Fold.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore