Shqipëria

Arvizu: Zgjedhja e liderëve politikë u takon qytetarëve jo Washington-it


Ish-ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, deklaroi se vendimi për të zgjedhur liderët politikë u takon qytetarëve shqiptarë jo Washington-it.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Euronews Albania”, duke cituar intervistën me ish-diplomatin amerikan.

“Së pari, unë nuk përfaqësoj më qeverinë dhe nuk kam akses në informacionet zyrtare që çojnë në këto vendimmarrje. Për mua, kur isha ambasador dhe për çdo ambasador amerikan, e rëndësishme është të tregojmë respekt për qytetarët shqiptarë”, u shpreh fillimisht ish-ambasadori.

Sipas tij, shqiptarët e dinë dhe e kuptojnë fare mirë se çfarë do të thotë të respektohen.

“Respekti duhet treguar në çdo gjë që bën. Edhe pse një vendim që merret, nuk është ai i duhuri, njerëzit e kuptojnë domethënien e tij”, vijoi Arvizu.

Sa i takon opozitës, ish-diplomati mendon se është me me rëndësi që qytetarët të kuptojnë se, këdo që zgjedhin për një lider politik, mes qeverisë dhe opozitës, nuk është një vendim që i takon Washington-it, as qeverive të vendeve anëtare të BE-së, por Shqipërisë.

“Kjo duhet kuptuar shumë qartë, është opozita juaj, është edhe qeveria juaj”, theksoi ai.

Në përmbyllje, Arvizu vërejti se është e përshtatshme që t’i jepet një opinion me respekt nga aleatët perëndimorë, por këto lloj vendimesh, “se kush është në opozitë dhe kush është në qeveri, u takon qytetarëve shqiptarë”.

Alexander A. Arvizu dorëzoi letrat kredenciale në Qeverinë e Shqipërisë më 6 dhjetor të vitit 2010 dhe ishte ambasadori i tetë i SHBA-ve në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore