Shqipëria

Arrestohet një i dyshuar për zhdukjen e dy personave në Sarandë


Autoritetet kanë arrestuar të premten e 28 prillit shtetasin Sofokli Baxheri nën dyshimin e zhdukjes së dy personave nga Saranda.

28-vjeçarit iu caktua nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, masa e sigurisë “arrest në burg”.

Kjo, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe deklaratë të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore.

Policia e Sarandës bëri më herët me dije se Leonard Thodhori, 46 vjeç, dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, kishin humbur kontaktet me të afërmit dhe ishin zhdukur pa lënë gjurmë.

“Në Komisariatin e Policisë Sarandë, është kallëzuar nga shtetasi G. P., 53 vjeç, banues në Fier, se ka humbur kontaktet me vëllanë e tij, shtetasin F. S., 45 vjeç, banues në Sarandë. Gjithashtu është kallëzuar nga shtetasja E. Th., 76 vjeçe, banuese në Sarandë, se ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin L. Th., 52 vjeç, banues në Sarandë”, njoftonte Policia.

Zhduken dy persona me precedentë penalë në Sarandë

Të dy të humburit janë persona me precedentë penalë.

Thodhori është dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti.

Po ashtu në vitin 2003 ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo.

Nga ana tjetër, Fatmir Sulovari ka qenë i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”.

Lidhur me rastin, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, për gjetjen e dy shtetasve.

Në përmbyllje të njoftimit, autoritetet vërejtën se materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore