Kosova

Arrestohet edhe një person për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë


Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka arrestuar edhe një person të moshës madhore, i dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11 vjeçares, në qershor të vitit 2022”, thuhet në komunikatën për media.

Nga Prokurori i Shtetit pritet që brenda brenda afatit ligjor të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente.

Më 29 gusht, një e mitur 11-vjeçare u raportua se u dhuna nga pesë persona, çka nxiti reagime të mëdha në Kosovë.

11-vjeçarja u raportua se ishte dhunuar në Prishtinë nga 5 burra për 7 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media, kishte kumtuar lajmin se janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ndërsa 11 vjeçarja që u dhunua të shtunën e 27 gushtit ishte raportuar si person i zhdukur.

Më 31 gusht, mijëra persona protestuan në kryeqytet kërkuan drejtësi pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares.

Në këtë protestë po kërkohej krijimi i mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimi i drejtë i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje.

Protesta e mbajtur në Prishtinë për rastet e dhunimit.

Por, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur e shqetësuar me neglizhencën e institucioneve të Drejtësisë lidhur me dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.

“Rasti ishte raportuar në fund të qershorit, dhe është dashur të presim dy muaj që fajtorët të arrestohen. Prokurori nuk ka vepruar dhe, është i njëjti prokuror i rastit që, nuk kishte marrë masa edhe në një rast në Fushë Kosovë, ku një e mitur ka humbur jetën”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se duhet që t’ju vie fundi zyrtarëve publikë që nuk i kryejnë detyrat e tyre.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati njoftuar se drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë dorëheqje.

“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, ka shkruar Sveçla në Facebook të martën.

Ai ka theksuar se tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra Mehmetit dhe ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm Fehmi Hotin, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës.

“Me këtë rast falënderoj Mehmetin për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë si dhe i uroj suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës”.

Edhe drejtori për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, ka dhënë dorëheqje. Siç ka thënë ai këtë po e bën “si akt moral i Gashit, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjecares ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale”.

“Gra armatosuni” – mijëra protestues kërkojnë drejtësi pas dhunimit të 11-vjeçares

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore