Lajme

Arrestohet asamblisti i Vetëvendosjes, Berat Lahu


Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje Berat Lahu.

Nga aksioni “Brezovica” i zhvilluar të mërkurën e 21 shtatorit është arrestuar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje Berat Lahu.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar prokurori i këtij rasti, Rasim Maloku.

“Po është arrestuar”, është përgjigjur ai shkurt.

Ndryshe, prokuroria Themelore në Ferizaj, ka dalur me komunikatë për shtatë personat të cilët u arrestuan mëngjesin e së mërkurës në aksionin “Brezovica 6”, të njëjtit nga prokuroria është thënë dyshohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Fajdeja” si dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

“Gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur njëmbëdhjetë (11) lokacione të ndryshme, konkretisht tetë (8) lokacione në qytetin e Prishtinës, dy (2) në Podujevë dhe një (1) në Fushë Kosovë, ku me ç​’rast, janë arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar dhe të njëjtit me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh”.

Në këtë aksion i cili është vazhdimësi e aksioneve më herët, thuhet se janë kontrolluar dhe bastisur 11 lokacione të ndryshme, konkretisht tetë lokacione në qytetin e Prishtinës, dy në Podujevë dhe një në Fushë Kosovë.

Policia e Kosovës

Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar edhe prova të ndryshme materiale, për të cilat Prokuroria Themelore në Ferizaj ka deklaruar se do të informojë në vazhdimësi.

Nga pesë aksionet e mëparshme të policisë dhe prokurorisë në këtë rast, deri më tani janë arrestuar 26 të dyshuar, prej të cilëve 4 janë liruar në procedurë të rregullt dhe 19 prej tyre iu është caktuar masa e paraburgimit, kurse u janë bllokuar afër 6 milionë euro.

Ndërsa, tre të dyshuarve në këtë rast, iu është caktuar masa e sigurisë, me të cilën iu është urdhëruar paraqitja në stacion policor dhe ndalimi për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar.

Në mesin e këtyre të arrestuarve, është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, i cili dyshohet se ka përfituar 1 milion euro jashtëligjshëm nga dhënia e lejeve për ndërtim të villave në zonën e Brezovicës.

Ndryshe, aksioni “Brezovica”, filloi më 21 dhjetor 2021 dhe është i udhëhequr nga prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, të cilët kanë zhvilluar këtë aksion në Komunën e Shtërpcës.

Fillimisht në këtë aksion, me urdhër të prokurorit, janë arrestuar dhjetë persona të dyshuar, ndërsa në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë të tjerë dhe disa pronarë të firmave, për shkak të dyshimit për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Më 21 dhjetor 2021, në një konferencë për medie, prokurori Rasim Maloku ka thënë se dyshohet që Bratislav Nikoliç, ish-kryetar i Shtërpcës,  ka përfituar mbi 1 milion euro jashtëligjshëm.

Kështu, ky aksion vazhdoi më 6 janar 2022, dhe u zhvillua në disa qytete, kurse cak ishin të përfshirët në hetimin për ndërtimet e paligjshme në Brezovicë.

Nga ky aksion, dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  (MMPH), u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, derisa pesë qytetarë janë vënë në pranga nën dyshimin e dhënies së ryshfetit.

Numri i të arrestuarve kishte shkuar në 17 me arrestimin e këtyre shtatë të dyshuarve më 6 janar 2022, ndërsa afër 6 milionë euro u bllokuan.

Por, më 4 prill, nga Gjykata Themelore në Ferizaj, konfirmuan se Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit dhe Ismet Asllani, pronar i kompanisë “Kashtanjeva Dekor SHPK”, janë liruar nga masa e paraburgimit.

Tutje, më 3 mars 2022 ka vazhduar aksioni “Brezovica 3” me bastisjen e 12 lokacioneve në katër qytete të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj e Lipjan.

Nga ky aksion, janë arrestuar 7 persona, tre prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim të ndikimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore