Lajme

“Brezovica 6”, Policia e Kosovës aksion në disa lokacione


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet kompetente të drejtësisë është duke zhvilluar një aksion operacional në vazhdën e rastit Brezovica.

Një gjë e tillë është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Sipas Kelanit detajet lidhur me aksionin do të bëhen të ditura pas përfundimit të tij.

“Policia e Kosovës, konfirmon se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka vazhduar realizimin e operacionit policor ‘Brezovica 6’, ku informacionet dhe detajet rreth këtij operacioni, do të bëhen të ditura pas përfundimit”, ka treguar ai.

Ilustrim

Nga pesë aksionet e mëparshme të policisë dhe prokurorisë në këtë rast, deri më tani janë arrestuar 26 të dyshuar, prej të cilëve 4 janë liruar në procedurë të rregullt dhe 19 prej tyre iu është caktuar masa e paraburgimit, kurse u janë bllokuar afër 6 milionë euro.

Ndërsa, tre të dyshuarve në këtë rast, iu është caktuar masa e sigurisë, me të cilën iu është urdhëruar paraqitja në stacion policor dhe ndalimi për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar.

Në mesin e këtyre të arrestuarve, është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, i cili dyshohet se ka përfituar 1 milion euro jashtëligjshëm nga dhënia e lejeve për ndërtim të villave në zonën e Brezovicës.

Ndryshe, aksioni “Brezovica”, filloi më 21 dhjetor 2021 dhe është i udhëhequr nga prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, të cilët kanë zhvilluar këtë aksion në Komunën e Shtërpcës.

Fillimisht në këtë aksion, me urdhër të prokurorit, janë arrestuar dhjetë persona të dyshuar, ndërsa në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë të tjerë dhe disa pronarë të firmave, për shkak të dyshimit për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Më 21 dhjetor 2021, në një konferencë për medie, prokurori Rasim Maloku ka thënë se dyshohet që Bratislav Nikoliç, ish-kryetar i Shtërpcës,  ka përfituar mbi 1 milion euro jashtëligjshëm.

Kështu, ky aksion vazhdoi më 6 janar 2022, dhe u zhvillua në disa qytete, kurse cak ishin të përfshirët në hetimin për ndërtimet e paligjshme në Brezovicë.

Nga ky aksion, dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  (MMPH), u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, derisa pesë qytetarë janë vënë në pranga nën dyshimin e dhënies së ryshfetit.

Numri i të arrestuarve kishte shkuar në 17 me arrestimin e këtyre shtatë të dyshuarve më 6 janar 2022, ndërsa afër 6 milionë euro u bllokuan.

Por, më 4 prill, nga Gjykata Themelore në Ferizaj, konfirmuan se Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit dhe Ismet Asllani, pronar i kompanisë “Kashtanjeva Dekor SHPK”, janë liruar nga masa e paraburgimit.

Tutje, më 3 mars 2022 ka vazhduar aksioni “Brezovica 3” me bastisjen e 12 lokacioneve në katër qytete të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj e Lipjan.

Nga ky aksion, janë arrestuar 7 persona, tre prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim të ndikimit.

Lidhur me këtë aksion, nga zyra për informim e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” dhe katër të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Aksioni “Brezovica” vazhdoi edhe më 16 mars 2022, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Ky aksion pritet të vazhdojë më tutje, ndërsa prokurori Rasim Maloku ka thënë se në këtë çështje askush nuk do të jetë i paprekshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore