Shqipëria

Arrestohen dy persona në Lezhë për dhunimin e punonjësit të OSHEE-së


Në Lezhë, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, mbështetur në inteligjencën informative, kanë vijuar hetimet me metoda proaktive në kuadër të operacionit policor të koduar “Fundviti”.

E gjitha me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më 30 nëntor 2022, në aksin rrugor “Shënkoll-Lezhë”, ku u dhunua fizikisht shtetasi E. P., 43 vjeç, me detyrë drejtor i OSHEE Lezhë.

U identifikuan, u kapën dhe u ndaluan shtetasit L. P., 27 vjeç dhe S. M., 27 vjeç, të dy banues në Lezhë, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, fillimisht i kanë dëmtuar automjetin shtetasin E. P., gjatë lëvizjes dhe më pas e kanë goditur atë për shkak të detyrës, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjetin e përdorur nga dy të arrestuarit, për kryerjen e kësaj ngjarjeje.

Sakaq, vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore