Tokyo 2020

Ari i Distrias bashkon politikën shqiptare në urime


Foto-kolazh: Në qendër, Distria Krasniqi, medaliste e artë Olimpike në Tokyo 2020, majtas, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe djathtas, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Rrallë çështje i bëjnë bashkë politikanët shqiptarë, por këtë herë, fitorja historike e medaljes së artë olimpike nga xhudistja shqiptare e Kosovës, Distria Krasniqi, ka bashkuar politikën shqiptare në urimet për arritjen e saj.

“Luaneshë. Bravo, Bravo, Bravo”, shkruan thjeshtësisht Kryeminitri i Shqipërisë, Edi Rama, në Facebook, urimin e tij për Distrian.

Po aq thjeshtë, ka zgjedhur të urojë edhe kreu i Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, Lulzim Basha. “Krenari”, shkruan Basha në Facebook, duke vendosur edhe flamurin e Kosovës me simbolin e shqiponjës dykrenare në përshkrimin e fotos së Distrias.

“Urime Distria Krasniqit, më të mirës së botës”.

Kështu ka zgjedhur presidenti Ilir Meta, të urojë kampionen olimpike. Ndër të tjera, ai nuk ka kursyer as urimet për gjithë ekipin, i cili sipas Metës, nuk zhgënjen kurrë.

Përballë japonezes Funa Tonaki, Distria Krasniqi siguroi medaljen e artë me rezultatin 1-0. Kështu, duke i dhuruar Kosovës medaljen e parë olimplike në Tokyo 2020.

Këtu ajo arriti pas katër fitoreve të mëdha.

Gjatë bllokut të mëngjesit, Distria fitoi përballë Gabriela Chibana dhe Chen-Hao Lin.

Kurse, pengesa e fundit në rrugën e saj për finale ishte mongolezja, Munkhbat Urantsetseg.

Distria mbyll ‘Tokyo 2020’ këtu, duke pasuar stafetën te xhudistët tjerë, që po ashtu synojnë gjithçka në këtë rrugëtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore