Lajme

Arabia Saudite hap hapësirën ajrore për fluturimet izraelite


Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Arabisë Saudite njoftoi të premten në mëngjes lejimin e “të gjithë transportuesve ajror që plotësojnë kërkesat e autoritetit”.

Kjo, që të fluturojnë në hapësirën ajrore të Mbretërisë, një vendim që do të lejojë linjat ajrore izraelite të fluturojnë mbi të gjithë vendin.

Lajmi u bë i ditur nga botimi “The Jerusalem Post”.

“Në kuadrin e prirjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite për të përmbushur detyrimet e saj sipas Konventës së Çikagos të vitit 1944, e cila përcakton mosdiskriminimin midis avionëve civilë të përdorur në navigimin ajror ndërkombëtar dhe për të plotësuar përpjekjet që synojnë konsolidimin e pozicionit të Mbretërisë si një qendër globale që lidh tre kontinente dhe për të përmirësuar lidhjen ajrore ndërkombëtare, Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil (GACA) njofton vendimin për të hapur hapësirën ajrore të Mbretërisë për të gjithë transportuesit ajror që plotësojnë kërkesat e Autoritetit për fluturim”, thuhet në njoftimin e Mbretërisë.

Vendimi, i cili nuk e përmend Izrael-in me emër, vjen në një kohë me vizitën e presidentit amerikan Joe Biden në Izrael dhe më pak se 24 orë përpara se presidenti të niset nga aeroporti Ben-Gurion për në Jeddah, Arabi Saudite.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan përshëndeti deklaratën të premten në mëngjes.

Ai u shpreh se “Presidenti Biden mirëpret dhe lavdëron vendimin historik të udhëheqjes së Arabisë Saudite për të hapur hapësirën ajrore saudite për të gjithë transportuesit civilë pa diskriminim, një vendim që përfshin fluturimet edhe nga Izraeli”.

Sullivan shtoi se Biden do të ketë “më shumë për të thënë” mbi vendimin më vonë të premten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore