Pajisje

Apple njofton vetëshërbimin për riparimin e pajisjeve nga klientët


Kompania teknologjike Apple ka njoftuar një program “vetëriparimi”, në mënyrë që klientët të mund të rregullojnë pajisjet e tyre.

Në fillim të vitit 2022, shërbimi do të mbulojë zëvendësimin e baterive, ekraneve dhe kamerave të iPhone-ve të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo vjen pas muajsh të presionit në rritje ndaj Apple-it, nga lëvizja për të drejtën për riparim, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

E drejta për riparim kërkon që individët dhe dyqanet e pavarura të riparimit të jenë në gjendje të rregullojnë pajisjet elektronike.

“Shërbimi i vetëriparimit është menduar për teknikë individualë me njohuri dhe përvojë për të riparuar pajisjet elektronike”, ka treguar kompania.

Mirëpo, “për shumicën dërrmuese të klientëve” vizita në një dyqan riparimi profesional të certifikuar do të ishte një alternativë më e mirë.

Shefi operativ, Jeff Williams, ka treguar se “krijimi i aksesit më të madh në pjesët origjinale të Apple-it u jep klientëve edhe më shumë zgjedhje nëse nevojitet një riparim”.

Ndërkaq, kompania ka sqaruar se “duke dizajnuar produkte për qëndrueshmëri, jetëgjatësi dhe rritje të riparueshmërisë, klientët gëzojnë një produkt afatgjatë që mban vlerën e tij për vite të tëra”.

‘Fitore masive’

Shpeshherë, Apple-i është konsideruar si një nga kundërshtarët më të ashpër të së drejtës për riparim, duke pretenduar probleme sigurie.

Faqja e pavarur e udhëzimeve të riparimit, iFixit, ka shkruar në platformën Twitter se “nuk e kishim menduar kurrë se do të vinte kjo ditë”.

Kjo pasi “Apple-i ka pretenduar prej kohësh se do të ishte e rrezikshme t’i lejosh konsumatorët t’i rregullojnë gjërat e tyre”.

Kurse rishikuesit kanadezë, Hardware Canucks, kanë deklaruar se “mund të jetë një hap i vogël në përgjithësi, por që Apple-i ta bëjë këtë, kjo është një fitore masive për lëvizjen e së drejtës për të riparuar”.

Referuar Apple-it, shërbimi i ri do t’i lejojë klientët individualë “të bashkohen me më shumë se pesë mijë ofrues shërbimesh të autorizuara të Apple-it dhe 2 mijë e 800 ofrues të pavarur riparimi që kanë qasje në këto pjesë, mjete dhe manuale”.

Tanimë, shkruan “BBC”, kompania ka zgjeruar rrjetin e vet të autorizuar të riparimit, kështu që qasja në pjesët zyrtare “thuajse është dyfishuar” në tre vitet e fundit.

Megjithatë, prej kohësh, skemat e autorizuara të riparimit të Apple-it janë kritikuar se kanë kushte dhe kufizime të gjera, duke e bërë të pamundur që një komponent i rastësishëm nga një telefon i prishur të mund të “transplantohet” lehtësisht për riparim.

Gjithashtu kompania ushtron kontrolle të rrepta mbi çmimin e këtyre komponentëve.

“BBC” tregon se lëvizja e së drejtës për riparim ka tërhequr shumë vëmendje vitet e fundit, me disa shtete të SHBA-së që po shqyrtojnë legjislacionin e “të drejtës për riparim”.

Madje, bashkëthemeluesi i Apple-it, Steve Wozniak, i cili ka ndërtuar kompjuterët e parë Apple në një garazh me Steve Jobs në vitet 1970, ka dalë në favor të lëvizjes.

“Nuk do të kishim një Apple nëse nuk do të isha rritur në një botë shumë të hapur teknologjike”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore