Zgjedhjet në Shqipëri

Anila që duam për Shqipërinë


Ajo nuk u trembet sfidave, ndërsa historia e saj rroket midis sukseseve dhe reputacionit.

Kjo është Anila Denaj, e cila, kur kryeministri Edi Rama e kishte ftuar t’i bashkohej në qeverinë e tij, në dhjetor të vitit 2018, nuk kishte pasur kohë të mendonte. E konsideroi angazhimin si një Master, ndërsa bilanci i mësimeve, më shumë sesa politik e ekonomik, ishte njerëzor.

Dy tërmete shkatërruese në rang kombëtar dhe një pandemi që ende lë gjurmë. Përtej menaxhimit dhe aftësive të brumosura nga jetëgjatësia në zanat, ajo u përball, pa kushte, me një krizë të rëndë njerëzore, dhe ia doli.

Pozitat politike qenë fryt i të papriturave të jetës, por fillesat e zanatit qenë dëshmi e pjekurisë në vendimmarrje.

Mes aventurave e zgjedhjeve të ndryshme, ajo u bë kapiteni i jetës së saj, duke fituar pavarësinë ndaj të panjohurave.

Jeta e saj ndahet midis gruas në karrierë dhe figurës së nënës, teksa gjendet në pikën më të gëzueshme të reputacionit të saj. Rrugëtimi i saj profesional ka hyrë në vitin e 27-të të vet dhe aktualisht ka mbërritur në sfidën e radhës – atë të deputetes.

E lindur në Tiranë, më 1973, nënë e një djali, që quhet Aleksandër, i cili mishëron të njëjtin portret dhe të njëjtën buzëqeshje si e ëma, dhe bijë e një familjeje nga Kuçi i Vlorës, Anila Denajt e ardhmja si deputete i kalon nga origjina e saj – Vlora.

Për të, Vlora është një sfidë personale, është edhe një krenari, që e lidh me traditën dhe reputacionin.

Si një e dashuruar me vendlindjen e paraardhësve të saj, nuk e harroi atë asnjëherë. Pushimet e verës i kalonte në fshatin e babait, në Vlorë. Afër tokës së kushërinjve e të afërmve të tjerë. Larg Tiranës. Kjo e ka mbajtur të lidhur me rrugën e Kuçit, që e rregulloi vetë me angazhimin dhe dedikimin e saj, pa zhurmë mediatike. Kjo nuk ishte një punë vetëm strategjike për zhvillimin e zonave përreth. Përmbushja e vullnetit të saj është një premtim i mbajtur.

Denaj në takimin me familjarët, në qytetin e Vlorës.

Gjatë fushatës zgjedhore në Vlorë, takimi me familjarët ishte një gjest simbolik. Këtu, Denaj dalloi nga gjithë brezi i saj politik, duke ndjekur parimet bazë të saj të të punuarit, nga ku politika nuk bën përjashtim. Ajo nuk mund të njihet, kuptohet a përshkruhet në politikë, duke anashkaluar damarin dhe karakterin e saj familjar.

Thirri një takim me pjesëtarë të ndryshëm të marrëdhënieve farefisnore e familjare, me ata që ruan një familjaritet të kujtimeve. Nuk shpenzoi asnjë minutë të vetëm për fushatë, sepse ata nuk i pranojnë premtimet elektorale. Ata janë të rritur dhe të mësuar me punën si bazë zhvillimore. Fjalët thuhen veçse pas përfundimit të punëve.

Hap pas hapi, nuk qe vetëm ngritja në karrierë, por edhe lartësimi në terma politike.

Me vetëm dy vjet e dy muaj pjesë e kabinetit qeverisës, ajo pati shumë pak kohë për ta zhvilluar një identitet politik. Ajo iu kthye terrenit, takimeve dhe përgjegjësive. Denaj nuk përvesh mëngët, por i përvishet punës. E këtë e kuptojnë më së miri bashkëpunëtorët e saj, të cilët përfundojnë duke mos iu ndarë të punuarit me të, jo për të.

Takimi me gratë e Sarandës. Ato e thërrisnin njëzëri “Merkel” i Shqipërisë.

Denaj dhe përballjet me elektoratin e Sarandës patën ndikim të fortë. Ata vinin si elektorat, si trup komunitar, e ajo i shihte si të përveçëm, si qytetarë me problematika specifike. Përtej daljeve publike me portretin që ruante një ftohtësi prej bankiere, ajo iu qaset krejt ndryshe takimeve informale.

Nga përvoja e menaxhimit nëpër kultura të ndryshme, ajo përdor eksperiencën e burimeve njerëzore për t’iu përshtatur ambientit. Nga menaxhimi i përvojave të ndryshme ekzekutive, ajo nxjerr mësime të vazhdueshme për komunikimin.

Ndërsa fushata pritet të bëhet më “agresive”, në kuptimin e garës, Anila Denaj zhvillon takimet elektorale, ndërkohë që mban të pacenuar procesin e punës dhe shkresat e panumërta nga Ministria e Financave. Ajo di t’i ruajë ekuilibrat ekzekutivë, për sa kohë menaxhon dhe organizon fushatën zgjedhore.

Nga sa është e mundur të kuptohet herët, ajo po mbivendos një variant gjerman në qasjen e saj zgjedhore.

Ministrja Denaj krah kryebashkiakut Adrian Gurma, në një tryezë elektorale.

Që të mos jetë e varur vetëm ndaj njerëzve, por më së shumti ndaj sistemit, ajo do përpiqet të ideojë një “organizim stilistik ministror” në vijën e parë të shtabeve zgjedhore. Në çdo periudhë fushatash zgjedhore, qarkullon fryma e takimeve me individë të rëndësishëm, me ata që ndikojnë dhe vijnë me një numër të caktuar votash. Denaj dëshiron të takohet me peshkatarët, për shembull. Jo me motivin se ata mund t’i sigurojnë “peshq të mëdhenj”, por që të shkojë vetë për t’i përjetuar mangësitë e një hallke të harruar të shoqërisë në Sarandë.

Duke qenë vetë pjesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Denaj e di si është gjendja ekonomike, por ajo do që ta mësojë edhe gjendjen sociale të banorëve në qytet.

Të ardhurat për frymë nuk i japin frymë as të ardhurave dhe as njeriut, nëse nuk di të zhvillosh dhe të nxisësh rritjen ekonomike të një vendi.

Ekonomia shqiptare është duke dalë nga një tranzicion i gjatë në shumë aspekte. E mbajtur peng nga problemet e shumta të pronësisë, të planeve të zhvillimit pa plan dhe mbi të gjitha me një infrastrukturë minimale. Sakaq, sot Vizioni i Shqipërisë 2030 që projekton dhe promovon partia ku bën pjesë Denaj është një Shqipëri “e gjeneratës tjetër” që ajo e quan Gjenerata e Teknologjisë Digjitale.

Elektorati është një vatër zhvillimi, ashtu siç e sheh Denaj. Qyteti është një zhvillim i vatrës dhe burimeve njerëzore, me të cilët ajo po komunikon dita-ditës. Praktikisht, qyteti ka hyrë në pulsin dhe në tempizmin e punës së Denajt.

Ajo shihet kudo dhe dëgjon gjithsecilin që ka diçka për t’i thënë.

Saranda është një përputhje e padiskutueshme sidomos kur e sheh mes të rinjve dhe zonjave të nderuara të këtij qyteti. Ka buzëqeshje e hare dhe kjo shkon shumë me diellin që ngroh bisedat dhe ëndrrat për zhvillimin e Sarandës në katër vitet e ardhshme.

Fjala e Denajt në Berdenesh. Gjesti simbolik, qëndroi në këmbë gjatë fjalës së saj.

Në një nga vizitat prezantuese, në Berdenesh, me banorët e zonës, duke qenë të gjithë në moshë dhe burra, Denaj vuri karrigen para vetes dhe qëndroi në këmbë përgjatë gjithë fjalës, në shenjë respekti. Jam një “vajzë” e juaja, përballë një elektorati të tërë që pret më shumë premtime se sa zërin e një vajze që di të përshtatet me vështirësinë e burrave për t’i dëgjuar fjalët një gruaje.

Elektorati i radhës dhe vizita që zhvilloi në Çukë, qe akoma më e drejtpërdrejtë. Me kalimin e kohës, diskursi politik brenda saj po zhvillohet dhe po identifikohet.

Respekti ndaj çdo krahine, çdo moshe dhe besimi është i spikatur. Vajtja në Teqenë Reshat Dede Baba në Sarandë ishte një përvojë që e dëshmon këtë, brenda lëvizjeve elektorale. Sikurse në kishat që i vizitonte gjatë mesditës dhe që Saranda i ka pjesë përbërëse të qytetit.

Pritja në Teqe dhe një komunikim i shkurtër me një përgjegjës.

Interesi i saj personal është sfida e fitores dhe sprova që e pason fitoren. E qeshura e saj ngjitëse të afron një ndjesi përfshirjeje edhe në zhvillimin e një komunikimi sporadik.

“Unë nuk u premtoj njerëzve diçka që nuk e ka të sigurt zhvillimin”, thotë ajo. “Unë u premtoj njerëzve që hallet dhe shqetësimet e tyre kanë një derë, e cila rri hapur dhe brenda saj ka njerëz që punojnë për t’i zgjidhur”.

“Nuk punoj për këto 4 javë. Unë po punoj për të ndihmuar në 4 vitet e ardhshme, për ta ndryshuar mentalitetin e administratës publike ndaj ankesave, ndaj dhënies së zgjidhjeve, zbutjes së problematikave jetësore, energji, ujë e drita, në disa zona ku ende nuk janë përfunduar investimet”.

“Por, mbi të gjitha jam këtu për ta bërë Sarandën të shkëlqejë më shumë, të ketë ekonomi më të lartë, me një gërshetim të të gjithë burimeve që ka drejt elitës në çdo drejtim”.

Karriera profesionale

Viti 1994 qe një vit kapërcimesh dhe sprovues për Anila Denajn. Karrierën profesionale do ta niste si gazetare e ekonomisë, te gazeta “Koha Jonë”, ku punoi me lajmet ekonomike. Por, rrugëtimi aty qe i shkurtër. Edhe pse gazetaria ndikoi aq shumë tek ajo, nëpërmjet të shkruarit përvetësoi eksperiencën njerëzore për të parën herë. Ballafaqimi me njerëzit, idetë, shkronjat dhe, pse jo, vetë zgjedhjet. Por nuk donte të bëhej gazetare.

Viti i mëpasshëm, 1995, do të ishte thelbësor. Në këtë vit ajo do të diplomohej për Menaxhim Financiar dhe Bankar, në Universitetin e Tiranës, në po këtë vit do të jepte dorëheqjen nga puna e saj si gazetare, do të refuzonte dhe një bursë studimi gjashtëmujore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi sheh aplikimet e afishuara të Fondacionit Fefad, nis një aventurë krejt e re për të. E çliruar nga çdo presion emocional, ajo hyn në provim dhe fiton garën me veten.

Denaj e nisi eksperiencën bankare 18-vjeçare si analiste kredie për FEFAD (ProCredit Bank). Meqenëse baza e eksperiencës së IPC (International Project Consultant), shoqërisë së konsulencës që menaxhonte bankat e grupit të nivelit të parë, ishte krijuar në Amerikën Latine, Denaj u dërgua atje për t’u trajnuar për financë dhe kreditimin në një sektor të caktuar siç ishte mikrokredia.

Denaj në një nga trajnimet e saj në Tajvan duke mbajtur një referim.

Denaj ka qenë drejtuesja e parë grua në një bankë të huaj në Shqipëri, prej vitit 1999 në Fefad Bank. Në vitin 2001, do të lidhte kontratën me Frankfurt-in, brenda të njëjtit grup. Aty do të punonte për gati shtatë vjet, me një ritëm jete shumë të lartë.

Denaj në zyrën e saj të punës në El Salvador në vitet 2000.

Anila Denaj do të punonte në këtë bankë në pesë shtete, në tre kontinente, tre vjet në Amerikë Latine, dy vjet në Rumani, dhe dy vjet në Mozambik. Për t’u kthyer sërish në Shqipëri në 2007, për të drejtuar Bankën Procredit në Shqipëri deri në 2013, vit në të cilin kontrata e konsulencës u ndërpre dhe për arsye përfitueshmërie banka u zvogëlua.

Edhe pse për të parën herë e gjeti veten jashtë sektorit bankar, për arsye të marrëdhënies kontraktuale dhe dakordësisë me punëdhënësin e saj, respektoi klauzolën dhe qëndroi 1 vit larg bankës.

Denaj do të fillonte punë në Ministrinë e Financave, jo vetëm sepse kishte një ftesë nga ish- profesori i saj, ministër Cani, por edhe sepse ishte momenti më i mirë të kontribuonte për Partinë Socialiste dhe për vendin në një moment të rëndësishëm transformimi. Siç e thotë edhe vetë “desha të kontribuoja dhe jo vetëm të ankohesha për administratën”.

Përgjatë periudhës tetor 2013-janar 2015 do të mbante detyrën e drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Mes sfidave të ambientimit me ritmin dhe problematikat, Denajt i ofrohet një punë në Entin Rregullator të Telekomit. Një industri, që i zgjeroi shumë horizontin në lidhje me teknologjinë e informacionit dhe atë që ajo e quan gjeneratën tjetër të Internet of Things (IOT). Denaj nuk e parashtron nga ana teknologjike, por e përfshin me të menduarit për diçka progresive. Atë që mund të jetë nesër, e ardhmja.

Për një periudhë trevjeçare do të bëhej Anëtare e Bordit të Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar në Shqipëri (A.K.E.P).

Tanimë ishte vendosur në një këndvështrim rregullator, nuk ishte më praktikante, ishte ura për të mbërritur te politikat.

Në shtator të vitit 2018, Denaj do të emërohej drejtore e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FSDKSH) në Shqipëri. Këtë detyrë do ta mbante derisa mbërriti një telefonatë. Pranoi propozimin e kryeministrit Edi Rama, për të udhëhequr si ministre e Financave, në qeverinë e tij, në mandatin e dytë të Partisë Socialiste.

Në dhjetor të vitit 2018, midis shumë rokadash postesh qeveritare, Denaj emërohet si ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Nga gjithë Ballkani Perëndimor, Denaj përfaqëson Shqipërinë si anëtare e Komitetit Këshillimor të Grupit të Bankës Botërore për Çështjet Gjinore dhe Zhvillimin. Kjo e fundit është struktura kryesore konsultative të jashtëm, që ndihmon Grupin e Bankës Botërore të promovojë barazinë gjinore, një parakusht i angazhimit për t’i dhënë fund varfërisë.

Anëtarët gjithashtu bashkëpunojnë në projekte që promovojnë gjininë dhe zhvillimin, dhe kontribuojnë në përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin për çështje të lidhura me gjininë dhe përfitimet për shoqëritë dhe ekonomitë në përmirësimin e mundësive për gratë dhe vajzat.

Këshilli përbëhet nga përfaqësues të lartë të qeverisë, udhëheqës nga sektori privat dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që punojnë për zhvillimin ekonomik dhe barazinë gjinore, dhe ekspertë të dalluar në fushat e ekonomisë, çështjeve gjinore dhe zhvillimit, të cilët janë ftuar për të shërbyer mandate 2-vjeçare.

“Në qoftë se dikush studion mënyrën se si i kam përzgjedhur vendet që kam jetuar, pozicionet apo titujt, edhe pse shumica e tyre ka ardhur e ofruar nga drejtuesi i kompanisë, të gjitha kanë një emërues të përbashkët. Unë duhet të jem diku ku zhvillohet diçka”, thotë ajo.

Denaj është e dhënë pas zhvillimit në proces. Ajo do të jetë e pranishme aty ku nis dhe merr formë një projekt.

Korrektesa nis nga ndershmëria dhe komunikimi. Komunikimi i ndershëm dhe ndershmëria në fjalët që thua.

“Duket sikur është një prekje hyjnore që ka rregulluar rrugëtimin tim në këtë trajtë deri në ditët e sotme”, thotë ajo.

Denaj në Manastirin e Zvërnecit; moment sublim paqeje, në një nga përmbylljet ditore të takimeve në Vlorë.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që mbahen më 25 prill, Anila Denaj garon për deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore