Shqipëria

Analogjia e Ramës mes Shqipërisë dhe “ushtarit japonez”: Do të heqim dorë nga BE-ja të fundit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi nga punimet e Forumit të Paqes në Paris (PPF) se shqiptarët do të jenë të fundit fare që do të heqin dorë nga Bashkimi Evropian.

Kjo, edhe kur të gjithë evropianët do të mendojnë se nuk ia vlen më.

Lajmi u bë i ditur gjatë punimeve të panelit “Menaxhimi i rënies nga kriza mbi popullsinë”.

Për të shpjeguar këtë retorikë, Rama përdori ironinë duke theksuar se kur bëhet fjalë për shqiptarët, “jemi njerëz shumë të veçantë, jemi shumë besnikë ndaj perandorive”.

“Pra, ne ishim të fundit që u larguam nga Perandoria Osmane, kur edhe osmanët vendosën se nuk ia vlente më. Ne ishim të fundit fare që hoqëm dorë nga Stalini edhe pasi sovjetikët menduan se nuk ia vlente më. Ne ishim të fundit fare që hoqëm dorë nga Kryetari Mao (Zedong) edhe kur kinezët menduan se nuk ia vlente më”, tha kreu i qeverisë.

Sipas tij, nocioni i besimit i shqiptarëve është shumë i lidhur me nocionin e besnikërisë dhe të qenit atje deri në fund të ditëve.

“Shqipëria i ngjan pak këtyre ushtarëve japonezë që kanë luftën e tyre pas përfundimit të luftës”, krahasoi kryeministri.

Ai shtoi se Shqipëria ka padyshim zhgënjimet e saj, por ekziston edhe një situatë e veçantë në krahasim me të tjerët.

Kjo, sepse kurrë në historinë tonë, vijoi Rama, nuk kemi pasur rastin “të shprehemi se ku donim të shkonim dhe me kë donim të ishim”.

“Pra, kjo është hera e parë, shqiptarët duan të jenë në BE dhe të jenë pjesë e Evropës, sepse mendojnë se ky është i vetmi vend ku jemi të sigurt nga një regjim tjetër”, garantoi kreu i qeverisë.

Kujtojmë që Rama do të gjendet në vijim në të njëjtën hapësirë fjale me presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin argjentinas Alberto Fernandez, presidentin e Guinea-Bissau Umaro Sissoco Embaló, dhe drejtorit Ekzekutiv të WFP (Programi Botëror i Ushqimit), David Beasley.

Ky edicion i 5-të do të mbledhë së bashku ekspertë dhe folës nga e gjithë bota për të diskutuar mbi temën “Dalja nga multikriza”.

Rama nga PPF-ja: Rusia ka dy armë të frikshme mbi Perëndimin, energjia dhe inflacioni

Çfarë është Forumi i Paqes në Paris?

I bazuar në idenë se bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi për tejkalimin e sfidave globale dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme, misioni i Forumit të Paqes në Paris është të bashkojë të gjithë aktorët në qeverisjen globale.

Kjo duke nisur me kryetarët e shteteve dhe qeverive, organizatat ndërkombëtare, qeveritë lokale, OJQ-të, fondacionet, bizneset, mediat, sindikatat, grupet fetare dhe qytetarët – në mënyrë që çdo vit ata të jenë në gjendje të angazhohen në dialog nën një çati.

Çdo vit që nga viti 2018, Forumi i Paqes ka nxjerrë në pah projektet dhe iniciativat qeverisëse që propozojnë zgjidhje dhe veprime specifike përballë sfidave globale.

Këto zgjidhje karakterizohen nga dimensioni i tyre ndërkombëtar dhe aftësia e tyre për të sjellë ndryshime të qëndrueshme brenda qeverisjes globale.

Forumi inaugurues tërhoqi 65 krerë shtetesh dhe mblodhi liderë nga sektorët qeveritarë dhe të korporatave si dhe nga shoqëria civile – të gjithë të bashkuar në riafirmimin e mesazhit thelbësor.

Ai është tanimë një ngjarje ndërkombëtare vjetore e fokusuar në ringjalljen dhe përmirësimin e qeverisjes globale.

I konceptuar si një përgjigje ndaj rritjes së tensioneve dhe përkeqësimit të sistemit shumëpalësh, Forumi bazohet në një ide të thjeshtë: zgjidhjet bashkëpunuese janë kyçe për trajtimin e problemeve globale dhe për të siguruar paqe të qëndrueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore