Shqipëria

Rama nga PPF-ja: Rusia ka dy armë të frikshme mbi Perëndimin, energjia dhe inflacioni


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi nga punimet e Forumit të Paqes në Paris (PPF) se Rusia ka dy armë shumë të frikshme mbi Perëndimin, si energjia dhe inflacioni.

Lajmi u bë i ditur gjatë punimeve të panelit “Menaxhimi i rënies nga kriza mbi popullsinë”.

“Ka dy armë shumë të frikshme të kësaj lufte mbi ne (Perëndimin), nga njëra anë është energjia nga ana tjetër është inflacioni”, u shpreh fillimisht kreu i qeverisë.

Ai e nisi bashkëbisedimin me një batutë drejtuar moderatores së takimit: “Një këshillë nëse doni takime koncize mos ftoni njerëz nga Ballkani”.

Kryeministri nënvizoi para së gjithash se lufta në Ukrainë nuk ka për qëllim të jetë thjesht një agresion në shtetin lindor, por ka për qëllim “të jetë një luftë kundër Perëndimit”.

Në këtë aspekt, Rama shtoi se e keqja e presidentit rus Vladimir Putin nuk është vetëm grabitja e territoreve të Ukrainës, por edhe prishja e kontrolleve dhe ekuilibrave të shoqërive tona.

“Dhe ne, megjithëse nuk jemi pjesa më e rëndësishme e botës perëndimore, ne jemi ende pjesë e botës perëndimore. Sigurisht që kur bëhet fjalë për vende si i yni që nuk kanë aq kapacitete sa vendet e mëdha, sigurisht që është problem”, shtoi kreu i qeverisë.

Rama vërejti në panel se autoritetet shqiptare kanë arritur ta mbajnë të paprekur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël.

“Ne kemi inflacionin më të ulët në rajon, kriza ende po na dëmton pa dyshim, por nuk po dëmton aq sa mund të dëmtohej në rast se do të preknim çmimin e energjisë elektrike”, garantoi kryeministri duke i lënë më pas fjalën homologut malazez Dritan Abazoviç.

Kujtojmë që Rama do të gjendet në vijim në të njëjtën hapësirë fjale me presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin argjentinas Alberto Fernandez, presidentin e Guinea-Bissau Umaro Sissoco Embaló, dhe drejtorit Ekzekutiv të WFP (Programi Botëror i Ushqimit), David Beasley.

Ky edicion i 5-të do të mbledhë së bashku ekspertë dhe folës nga e gjithë bota për të diskutuar mbi temën “Dalja nga multikriza”.

Çfarë është Forumi i Paqes në Paris?

I bazuar në idenë se bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi për tejkalimin e sfidave globale dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme, misioni i Forumit të Paqes në Paris është të bashkojë të gjithë aktorët në qeverisjen globale.

Kjo duke nisur me kryetarët e shteteve dhe qeverive, organizatat ndërkombëtare, qeveritë lokale, OJQ-të, fondacionet, bizneset, mediat, sindikatat, grupet fetare dhe qytetarët – në mënyrë që çdo vit ata të jenë në gjendje të angazhohen në dialog nën një çati.

Çdo vit që nga viti 2018, Forumi i Paqes ka nxjerrë në pah projektet dhe iniciativat qeverisëse që propozojnë zgjidhje dhe veprime specifike përballë sfidave globale.

Këto zgjidhje karakterizohen nga dimensioni i tyre ndërkombëtar dhe aftësia e tyre për të sjellë ndryshime të qëndrueshme brenda qeverisjes globale.

Forumi inaugurues tërhoqi 65 krerë shtetesh dhe mblodhi liderë nga sektorët qeveritarë dhe të korporatave si dhe nga shoqëria civile – të gjithë të bashkuar në riafirmimin e mesazhit thelbësor.

Ai është tanimë një ngjarje ndërkombëtare vjetore e fokusuar në ringjalljen dhe përmirësimin e qeverisjes globale.

I konceptuar si një përgjigje ndaj rritjes së tensioneve dhe përkeqësimit të sistemit shumëpalësh, Forumi bazohet në një ide të thjeshtë: zgjidhjet bashkëpunuese janë kyçe për trajtimin e problemeve globale dhe për të siguruar paqe të qëndrueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore