Lajme

Ambasadori i 600 mijë eurove i ikë raportimit para komisionit parlamentar – ka kërkuar shtyrje


Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i njohur ndryshe edhe për skandalin e 600 mijë eurove të përfituara nga kompania energjetike GEN-I, dega në Beograd, ka kërkuar që t’i shtyhet data për raportim para komisionit hetimor parlamentar.

Berishaj, do të duhej të raportonte para këtij komisioni që po heton shit-blerjet e energjisë elektrike nga qeveria e Kosovës, por njoftohet se ai ka kërkuar shtyrje.

Për këtë arsye, Komisioni Parlamentar, të premten në orën 11:00 do ta shqyrtojë këtë kërkesë.

“Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës shqyrton kërkesën e Martin Berishaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, për shtyrjen e datës për intervistim nga Komisioni hetimor parlamentar”, tregon njoftimi.

Pse kërkoi shtyrje Berishaj?

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë për Albanian Post se nuk e di arsyjen pse Berishaj ka kërkuar që t’i shtyhet raportimi.

“Të them të drejtën nuk e kam parë email-in zyrtar, sepse është kompetencë e kryetarit të Komisionit dhe nesër e kem temë, e dimë nesër se çka ka kërkuar por jam i informuar se ka kërkuar edhe e kem në rend të ditës, ka kërkuar shtyrje. Nuk i di arsyet. Kryetari i Komisionit i ka informacionet”, tha Shala,

Ai ka theksuar se PDK-ka kërkuar me ngulëm që Berisha të raportojë në komision.

“Ne kemi kërkuar të intervistohet si i dyshuar për skandalin e 600 mijë eurove, por ai ka kërkuar t’i shtyhet raportimi, të premten dimë pse”.

Çka ndodhi? 

Në muajin prill media sllovene TV Planet publikoi dokumente ku tregohej se është bërë një bartje e parave nga kompania energjetike GEN-I, dega në Beograd, për në kompaninë e ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj, MB Consulting dhe më pas ai i ka tërhequr partë dhe dërguar në Slloveni te atëherë politikani opozitar, tash kryeministri, Robert Golob.

Albanian Post atë kohë pati realizuar intervista me gazetarë të TV Planet edhe mediumeve të tjera sllovene dhe gjithashtu me gazetarë të Malit të Zi, që sqaronin se çfarë kishte ndodhur.

Tani, kur Golob është në krye të qeverisë sllovene largoi drejtorin e zyrës që po hetonte rastin e tij e të ambasadorit të Kosovës.

Martin Berishaj dhe Albin Kurti

Mediumi slloven “Demokracija” shkruan edhe se “në Kosovë kanë krijuar një komision hetimor në parlament, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe shtetasi i tyre, ambasadori Martin Berishaj. Ky i fundit thuhet se është një mushkë parash për Robert Golob”.

Jo vetëm ky drejtor i këtij institucioni është larguar nga pozita, revista shkruan se “prioriteti kryesor i qeverisë së Golob janë spastrimet e personelit”.

“64 ndryshime të njerëzve nëpër pozita kanë ndodhur vetëm në 10 ditët e para. Stafi, revanshizmi dhe ngazëllimi kanë shënuar këto ditë të para të qeverisjes së Golobit”.

Në anën tjetër, në Kosovë, Komisioni Parlamentar për Hetimin e blerjes së Energjisë Elektrike në kohë të krizës në Kosovë, ka filluar punën dhe ministrja e Ekonimisë, Artane Rizvanolli, veçse ka filluar intervistimin para anëtarëve të komisionit.

Për, vetë ambasadorin Berishaj nuk ka pasur ndonjë pasojë. Presidentja Vjosa Osmani, zëvendës-kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe vetë kryeministri, Albin Kurti, i kanë qëndruar pranë atij dhe kanë thënë se i besojnë se është i pafajshëm.

Derisa eksponentë të pushtetit në Kosovë, lajmet për Berishajn i kanë pas cilësuar si fushatë mediatike për t’ia përlyer figurën.

Historia e skandalit dhe reagimet në Kosovë

Media sllovene raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj u deklarua vetëm në Facebook. Mohoi se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj në Facebook.

Në të kaluarën, para se të futej në politikë, Golob ishte drejtor i kompanisë së njëjtë në Slloveni.

GEN-I është kompania më e madhe në Ballkan për energji elektrike. Ka dyshime që është e përfshirë me elektro-mafian serbe.

Albanian Post më vonë kuptoi se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.

Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.

Presidentja e Kosovës një herë, e pyetur nga gazetarët tha se i “besojmë ambasadorit tonë” në pafajësinë e tij.

Vjosa Osmani

Më vonë, presidenca lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se e kanë thirrur ambasadorin të vijë në Kosovë dhe të raportojë për këtë rast.

Albanian Post realizoi një intervistë me gazetarin slloven, Primoz Cirman. Ai tha se skandalin e fabrikoi Janez Jansha (kryeministri aktual i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifiuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.

Cirman pohoi se “sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, publikoi në llogarinë e tij në Facebook një status, ku tha se “duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai mendon njëjtë siç e ka dhënë komentin zëdhënësi i Qeverisë dhe nuk u përgjigj në pyetjen se “a duhet të shkarkohet Berishaj”.

Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë për media ku thanë se kanë ditur diçka rreth këtij skandali, por nuk e besonin se kishte zyrtarë të lartë të Kosovës kaq thellë të përfshirë. Thanë se kjo është arsyeja përse Lëvizja Vetëvendosje nuk po lejon themelimin e një komisioni që do zbulonte çfarë ka ndodhur me subvencionet e Qeverisë për blerjen e rrymës në kohën e krizës.

Pos skandalit me 600 mijë euro, Berisha po hetohet nga Prokuroria e Prishtinës për mos-deklarim të pasurisë.

Prokuroria nis hetimet, por MPJ s’e ka ndërmend ta kthejë nga misioni diplomatik Martin Berishajn

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore