Lajme

Ambasadori gjerman: S’jam mësues ta vlerësoj me nota Albin Kurtin


Jörn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka refuzuar të jap një vlerësim të matshëm përmes numrave për kryeministrin e Kosovës, kur është pyetur nga Radio Kosova në një intervistë për situatën e fundit politike pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel.

“Nuk jam mësues për të vlerësuar me nota”, tha Rohde, por komentoi se “të dy palët (Kosova dhe Serbia), të hënën janë treguar mjaft konstruktive dhe të përgjegjshëm, duke e pranuar planin”.

Ai tha se është në interesin e Gjermanisë dhe perëndimit që “Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e strukturave evropiane sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sipas diplomatit gjerman, perëndimi e ka treguar tashmë fare qartë se sa përpjekje të mëdha diplomatike po bën që procesi të dal i suksesshëm.

“Kjo u tregua edhe javën e shkuar kur Kancelari Olaf Scholz me Presidentin francez, Emmanuel Macron, u takuan me Kryeministrin Albin Kurti dhe me Presidentin Vuçiç. Kjo tregohet edhe nga letra e përbashkët e Presidentit Macron, Kancelarit Scholz dhe Kryeministres Meloni. Nuk di sa mund të bëhet me shumë se kaq”, deklaroi Rohde.

I gjithë ky angazhim, nga aleatët prite të përkthehet në rezultat dhe “të dëgjohet këshilla jonë”.

“Duam që rajoni dhe partneri ynë Kosova të bëjë hapa përpara dhe pikërisht përmes këtij plani arrihet deri tek normalizimi i gjendjes dhe përmirësimi konkret i jetës për qytetarë”, pohoi diplomati.

“Njohja e integritetit territorial, njohja e simboleve shtetërore, njohja e dokumente janë brenda në këtë dokument, sepse duam që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të normalizohen në të gjitha fushat si në kulturë, ekonomi etj. Pra, bëhet fjalë për përmirësim konkret për qytetarët”.

Rohde ka folur edhe për seancën e fundit parlamentare dhe zgjatjen e fjalimeve deri pas orës 12:00 të natës.

“I ndjek deklaratat e tyre”, tha Rohde, duke shtuar se nuk do të preferonte që politika në Kosovë të merrej shumë të kaluarën.

Sa për opozitën në Kosovë dhe kundërshtitë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rohde pohon se duhet ta kujtojnë që ishin ato që morën fillimisht obligimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme,  kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveri e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi”.

Prandaj, thotë Rohde, se “personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi”.

Ai ka kërkuar nga opozita në Kosovë që “ketë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën”.

“Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vet politike, në mënyrë të veçantë opozita”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore