Lajme

Ambasada amerikane: Nuk ia bëmë Vuçiç-it “like” me qëllim


Flamuri i Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ka dhënë sqarim lidhur me pëlqimin që i ka bërë një lajmi në Twitter, në të cilin presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se “nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen ndaj Kosovës”.

Përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, Ambasada ka thënë se postimi nuk është pëlqyer qëllimisht, por janë duke e shqyrtuar situatën për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.

“Llogaria zyrtare në Twitter e Ambasadës së SHBA-së nuk ka ‘pëlqyer’ qëllimisht asnjë postim në Twitter gjatë 24 orëve të fundit. Ne po shqyrtojmë situatën për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur. Siç u theksua më parë: Kur kemi një pozicion për të artikuluar, ne e bëjmë këtë nëpërmjet deklaratave zyrtare – jo nga një ‘like’ e mediave sociale”, thuhet në deklaratë.

Nga ambasada është thënë se kundërshtohet çdo përpjekje që synon të cënojë pavarësinë e Kosovës.

“Ne kundërshtojmë kategorikisht çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, ka shkruar Ambasada në Twitter.

Ndryshe, profili në Twitter i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, të mëkurën ka pëlqyer një postim në të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Lajmi që kishte pëlqyer Ambasada Amerikane.

Por, që të enjten e 5 janarit, Ambasada e ka hequr pëlqimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore