Sport

Allegri shton dy lojtarë në ‘listën e zezë’, në pikëpyetje edhe Morata


Skuadra e Juventus-it nuk po ecën me ritme të kënaqëshme deri më tani në Serie A. Pavarësisht se në Champions League u kualifikuan në raundin e të 16-ve si të parët në grup.

Problemet më të mëdha të bardhezinjëve duket se janë në mesfushë. Aaron Ramsey tashmë është një emër i harruar për formacionin e “Zonjës së Vjetër”.

Adrien Rabiot-i, Rodrigo Bentancur-i dhe Arthur-i gjithashtu nuk kanë bindur. Të katër mesfushorët janë në merkato dhe do vlerësohet çdo ofertë që vjen për ta. E njëjta situatë është edhe me talentin suedez, Dejan Kulusevski-n.

Sipas italianes “La Gazzetta dello Sport”, trajneri i Juventus-it, Massimiliano Allegri, ka shtuar edhe dy lojtarë të tjerë në “listën e zezë” të largimeve. Alex Sandro dhe Daniele Rugani nuk pëlqehen më nga trajneri livornez. Të dy lojtarët kanë kontratë me Juventus-in deri më 30 qershor 2023.

Sandro është aktivizuar në 21 ndeshje këtë sezon, ku ka shënuar dhe asistuar nga një herë. Por më shumë se mungesa e golave dhe asisteve, vihet re performaca e tij e dobët në fushë. Braziliani që ka kaluar të 30-at, në shumicën e rasteve duket sikur ecën në fushë dhe luan jo me shumë dëshirë.

Rugani është rezerva e fundit në hierarkinë e mbrojtjes. Këtë sezon ai është paraqitur vetëm katër herë me Juventus-in.

Braziliani vlerësohet rreth 20 milionë euro në merkato. Italiani rreth 5 milionë euro.

Një tjetër problem për Juventus-in është dhe Alvaro Morata. Po sipas “La Gazzetta dello Sport”, bardhezinjtë nuk janë të gatshëm të paguajnë 35 milionë euro për blerjen përfundimtare të tij te Atletico Madrid-i.

Ndryshe nga sezoni i kaluar, Morata këtë sezon në 21 paraqitjet me fanellën e Juventus-it, ka shënuar vetëm gjashtë gola dhe ka asistuar katër herë.

Synimet e Juventus-it për sulmin tashmë kanë ndryshuar. Bardhezinjtë lidhen me emra si Dusan Vlahovic-i i Fiorentina-s, Mauro Icardi i PSG-së dhe Gianluca Scamacca i Sassuolo-s.

Pa harruar dhe alternativat e tjera si Anthony Martial-i i Manchester United, Aleksandar Mitrovic-i i Fulham-it, apo dhe Sebastien Haller-i i Ajax-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore