Lajme

Alec Baldwin padit stafin e filmit, pas aksidentit me armë


Me qëllim pastrimin e emrit të tij, aktori Alec Baldwin paditi personat e përfshirë në trajtimin e armës së mbushur,, që ai përdorte kur qëlloi dhe vrau kineasten Halyna Hutchins, në vitin 2021 në New Mexico.

Baldwin paraqiti një ankesë në Gjykatën e Lartë duke pretenduar neglizhencë prej individëve që ishin përgjegjës për pastrimin dhe mbushjen e armës.

“Kjo tragjedi ndodhi në një set filmi – jo një poligon armësh, jo një fushë beteje, as një vend ku mund të ekzistonte edhe një mundësi e largët që një armë të përmbante municion të vërtetë”, thuhej në padi.

Baldwin ka thënë se i është thënë se arma ishte e sigurt dhe se ai nuk e ka tërhequr këmbëzën.

Por një raport i fundit mjeko-ligjor i FBI-së zbuloi se arma nuk mund të kishte qëlluar nëse nuk tërhiqej këmbëza.

Ankesa e tërthortë e Baldwin thotë se ai ka humbur mundësitë dhe është pushuar nga puna për shkak të të shtënave dhe gjithashtu “ka vuajtur fizikisht dhe emocionalisht nga pikëllimi i shkaktuar nga këto ngjarje”.

Zyra e hetuesit mjekësor të New Mexico përcaktoi se të shtënat ishin një aksident.

Megjithatë, prokurorët po shqyrtojnë të shtënat për të përcaktuar nëse duhet ngritur kallëzim penal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore