Lajme

Albin Kurtin detyron Specialët që sërish të dalin në protestë


Foto: Albanian Post.

Të kategorizohen si njësi e veçantë, të përfshihen në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës, janë këto kërkesat që e detyruan Njësinë Speciale Intervenuese (NJSI/FIT), të jetë sërish në rrugë përballë Qeverisë së Kosovës, me shpresën që kjo protestë e dytë do ta bindë qeverinë të ndryshojë kurs.

Përveç këtyre, ka vite që policia përballet me mungesë të kushteve duke filluar që nga çizmet, jelekët anti-plumb, rrobat, e gjëra të tjera që janë krejtësisht elementare për institucionin e sigurisë ku ata janë të angazhuar, por që kërkesat e tyre injorohen nga pushteti dhe konsiderohen si të parëndësishme.

Për disa orë për shkak të neglizhencës së Qeverisë, karshi kërkesave të tyre dhe mos sjelljes së rezultateve konkrete mes takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe Njësisë Speciale Intervenuese, Kosova do të ketë më pak policë në ofrim të shërbimit të sigurisë të shtunën.

Protesta do të nis në ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu”.

Për dallim nga protesta e parë, kësaj radhe kjo njësi përkrahje do ta ketë edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

“Nëse kërkesat s’realizohen – protestat sërish do të përsëriten”

Në rast se sërish refuzohen, protestat sërish do të përsëriten, thotë kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri në një bisedë për Albanian Post.

Zeqiri, ka thënë se dëshira e tyre ishte që zgjidhja të gjendet përmes dialogut.

“Nga kërkesat nuk do të heqim dorë por po shpresojmë se do të reflektojë edhe Qeveria. Unë s’kam pasur dëshirë që të vijmë deri tek protestat, kam dashur që kërkesat të na realizohen përmes dialogut”.

Sipas tij, angazhimi i Policisë së Kosovës, është duke u vërejtur nga të gjithë dhe është e pakuptueshme përse kërkesat e tyre po refuzohen.

“Kërkesat janë shumë të rëndësishme dhe shumë të nevojshme të realizohen sepse punën që po e bën Policia e Kosovës, besoj që shikohet nga të gjithë”.

“Kur Qeveria e sheh që e kemi policinë me kaq vullnet të lartë dhe me kaq profesionalitet të mos plotësohen kushtet defenitivisht kjo s’ka kuptim”, thotë Zeqiri për AP.

Foto nga protesta e kaluar e Njësisë Speciale në tetor.

“Skandal për Qeverinë”

Për ish drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, situata në të cilën pushteti e ka sjellur policinë është tejet shqetësuese.

Qalaj, në një përgjigje për Albanian Post thekson se ky është “skandal” për Qeverinë.

“Situata e protestave të Policisë për herë të dytë është më të vërtetë shumë shqetësuese. Të arrish ta sjellësh Policinë e Kosovës – institucionin më të besueshëm të këtij vendi, i cili është duke dhënë kontribut të çmuar në krijimin e sigurisë gjatë muajve të fundit në pjesën veriore të vendit, është më shumë sesa skandal për Qeverinë aktuale”.

“Është e papranueshme për shkak se siguria është pjesa më e rëndësishme dhe t’i kesh policët në rrugë, të kesh policë më pak që janë duke e ofruar sigurinë dhe shërbimet e tyre tregon që qasja e Qeverisë është e gabuar, për shkak se policët tonë meritojnë të kenë mbështetje në të gjitha drejtimet”, deklaron ai.

“Nëse Policia e Kosovës, nuk ka mbështetjen e Qeverisë sërish dhe nëse ekzekutivi nuk ndan buxhet të mjaftueshëm për policinë atëherë mund të them që nuk do ta kemi një gjendje të mirë”.

Si ish drejtor ai është i vetëdijshëm që policët kanë një sërë mungesash dhe kërkesat e tyre janë plotësisht të arsyeshme.

“Policia e ka gjendjen shumë të keqe sa i përket pajisjeve duke filluar nga veshmbathjet e të gjitha pajisjet e tjera përfshirë këpucët, rrobat, çizmet, sprej, jelekët anti-plumb. Ka ardhur gjendja që policët të dalin në rrugë, kjo është më shumë se një protestë, është një zë duke i thënë Qeverisë, mjaft më”.

Protesta e parë e Njësisë Speciale Intervenuese

Ashtu edhe siç kishin paralajmërua me maska në fytyra e pa shoqërimin e armëve, pjesëtarët e njësisë më elitare të Policisë së Kosovë, të njohur ndryshe edhe si FIT, të cilët zmbrapsën paramilitarët me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, kishin protestuar të mërkurën e 1 tetorit para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Për rreth 10 minuta qëndrim në heshtje, ata kishin shprehur pakënaqësitë e tyre të thella në lidhje me trajtimin e deritanishëm nga Qeveria e Kosovës.

Ata përveç heshtjes – si simbolikë për të shprehur indinjatën e tyre ndaj kushteve të punës, pagave por edhe mungesës së komunikimit korrekt nga niveli politik i Qeverisë në ditën më kritike për vendin (24 shtator) – edhe kishin folur duke parashtruar kërkesa e tyre konkrete ndaj ekzekutivit kosovar.

Njëri nga pjesëtarët e kësaj njësie ndërsa ia kumtonte publikut kërkesat, kërkoi ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se 10 vite që kemi marr premtime për benefite të cilat na takojnë”, thoshte ai.

Foto nga protesta e kaluar e Njësisë Speciale në tetor.

Gjatë fjalës së tij, ai kishte listuar edhe disa nga kërkesat ndaj Qeverisë së Kosovës siç janë kategorizimi si njësi të veçanta, përcaktimi i rrezikshmërisë në 50 për qind prej pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.

“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme”.

Kërkesat e kësaj njësie, sipas pjesëtarit i cili barte maskë për të mos e shfaqur identitetin e tij për shkaqe sigurie, janë legjitime dhe nevojë urgjente.

“Nuk do të zmbrapsemi deri në realizmin e tyre”, tha ai gjatë një konference para gazetarëve duke shtuar se nuk përfaqësohen nga askush tjetër, pos nevojave të tyre.

I njëjti ftoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të reflektojë dhe të marrë hapa konkretë në realizmin e kërkesave të tyre.

“Kryeministër, ju i dini rreziqet që i bartim gjatë gjithë kohës për shkak të natyrës së punës të cilën ne e bëjmë, prandaj mos luani me dinjitetin tonë dhe me ndjenjat e familjeve tona”, shtoi ai.

Shtesat për rrezikshmëri

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Këto shtesa, sipas ekzekutivit, do të aplikohen nga nëntori, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.

Mashtrimi brutal i Kryenumëratores së Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore