Përballje

Albin Kurti: Kosova luajti më mirë sesa rezultati që pësoi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” në ndeshjen hapëse të kualifikimeve të Kupës ë Botës, në të cilën Kosova u përball me Suedinë.

Dardanët pësuan humbje nga suedezët me rezultat 0:3, teksa i pari i qeverisë së vendit, përmes një postimi, tha se Kosova nuk e meritoi këtë humbje.

“Pa lojtarin e saj kryesor, tifozët në tribina, Kosova sonte luajti shumë më mirë sesa rezultati që pësoi me Suedinë. Kjo na jep shpresë për ndeshjet e ardhshme teksa jemi veçse në fillim të kualifikimeve për botërorin 2022”.

Kosova po vinte e motivuar në këtë takim, pasi e kishte mposhtur Lituaninë 4:0 në një ndeshje miqësore në mesjavë, por mungesat e mëdha si kapiteni Amir Rrahmani, Ibrahim Dresevic në mbrojtje, Valon Berisha e Herolind Shala në mesfushë, bërën diferencën.

Ndërsa kujtojmë, që Dardanët e nisën ndeshjen më një ritëm të mirë të lojës, por pas një pakujdesie të portierit Samir Ujkani, Ludwig Augustinsson kaloi në epërsi mysafirët, në minutën e 12-të.

Teksa për epërsinë e dyfishtë te pjesës së parë u përkujdes sulmuesi i Real Sociedad, Alexander Isak, i cili në minutën e 35-të shënoi për 2:0.

Në pjesën e dytë, Kosova luajti shumë më dobët se sa në të parën, duke krijuar shumë pak raste për gol, dhe në minutën e 69-të, Milot Rashica shkaktoi një penallti, të cilën e konkretizoi Sebastian Larsson.

Takimi u mbyll me rezultat 0:3, teksa Kosova mbetet pa pikë në Grupin B, të cilit i prijnë Suedia dhe Spanja me nga gjashtë dhe katër pikë, përkatësisht.

Të hënen Kosova do të udhëtoj për në Sevilla, ku do të luajë ndeshjen e dytë të kësaj kampanje kualifikuese, kundër Spanjës të mërkuren në ora 20:45.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore