Lajme

Ajo u rrah për vdekje se refuzoi të këndonte pro regjimit iranian, ishte vetëm 16 vjeçe


Një tjetër nxënëse është vrarë nga shërbimet iraniane të sigurisë.

Ajo u rrah për vdekje në klasën e saj vetëm sepse refuzoi të këndonte një këngë pro regjimit kur shkolla e saj u bastis javën e kaluar.

Pas ngjarjes, të tjera protesta e kanë përfshirë të gjithë vendin.

Sipas Këshillit Koordinues të Shoqatave Tregtare të Mësuesve Iranianë, 16-vjeçarja Asra Panahi ndërroi jetë pasi forcat e sigurisë bastisën shkollën e mesme të vajzave Shahed në Ardabil më 13 tetor.

Ata i kërkuan një grupi vajzash të këndonin një himn që lavdëronte liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Dhe kur nxënëset refuzuan ta bënin këtë, ata nisën t’i rrihnin vajzat. Kjo pasoi me një numër vajzash që u dërguan në spital dhe të tjera që u arrestuan.

Panahi thuhet se ka ndërruar jetë në spital nga plagët e marra në shkollë.

Por zyrtarët iranianë e kanë mohuar faktin që forcat e sigurisë ishin përgjegjëse edhe pasi vdekja e saj shkaktoi zemërim në të gjithë vendin.

Madje, një burrë i identifikuar si xhaxhai i saj u shfaq në kanalet televizive shtetërore duke pretenduar se ajo kishte vdekur nga një sëmundje e lindur e zemrës.

Nxënëset janë shfaqur si një forcë e fuqishme pasi videot e atyre që hiqnin hixhabin dhe fotografitë e liderit supren nga muret e klasave u bënë virale.

Zëri i tyre ka folur fuqishëm kundër regjimit në mbështetje të Mahsa Amini-it, 22-vjeçares që vdiq pasi u arrestua nga policia morale e Iranit për mosmbajtjen e duhur të hixhabit.

Në përgjigje të tyre, autoritetet e atjeshme kanë nisur një seri bastisjesh në shkollat ​​anembanë vendit javën e kaluar.

Raportimet tregojnë për oficerë që kanë hyrë me forcë në klasa, kanë arrestuar me dhunë nxënëse dhe që kanë hedhur gaz lotsjellës në ndërtesat e shkollave.

Sindikata e mësuesve të Iranit, përmes një deklarate, i ka dënuar bastisjet “brutale dhe çnjerëzore” dhe ka drejtuar thirrje për dorëheqjen e ministrit Yousef Nouri të Arsimit.

Lajmi për vdekjen e Panahi-t ka mobilizuar më tej nxënësit në të gjithë vendin për të organizuar dhe bashkuar protestat gjatë fundjavës.

Mes tyre ka qenë edhe 16-vjeçarja Naznin, prindërit e së cilës e kishin mbajtur në shtëpi nga frika se mos e arrestonin për protestën në shkollën e saj.

“Nuk më kanë lejuar të shkoj në shkollë sepse prindërit e mi kanë frikë për jetën time. Por çfarë ka ndryshuar? Regjimi vazhdon të vrasë dhe arrestojë nxënëse”, ka treguar Naznin.

“Çfarë dobie kam nëse thjesht qëndroj e indinjuar në shtëpi? Unë dhe kolegët studentë anembanë Iranit kemi vendosur të dalim në protestë në rrugë këtë javë. Do ta bëj edhe nëse më duhet ta fsheh nga prindërit e mi”, ka vijuar ajo.

Në protesta ka shkuar edhe 19-vjeçarja Nergis, e cila është gjuajtur me plumba gome në shpinë dhe këmbë.

Për të, vdekja e Panahi-t e ka motivuar atë dhe miqtë e saj që të vazhdojnë të protestojnë, pavarësisht rrezikut.

Ajo që i ndodhi Panahi-t – si dhe vdekja e dy nxënëseve të tjera, Nika Shahkarami 17-vjeçare dhe Sarina Esmailzadeh 16-vjeçare, të dyja në duart e forcave iraniane të sigurisë – i ka bashkuar të rinjtë anembanë Iranit.

Sipas saj, vrasja e tyre është shkaku i përbashkët.

“Nuk kam asnjë të afërm të vetëm në Ardabil, por me këtë goditje brutale ndaj motrave tona, të cilat ishin vetëm 16 vjeçe, ata kanë zgjuar gjithë kombin”, ka thënë ajo.

Nergis ka treguar se tani ato ndjehen të bashkuara më shumë se kurdoherë tjetër.

“Nuk është vetëm vdekja e Asra-s. Republika Islamike ka vrarë njerëzit tanë për 40 vjet, por zërat tanë nuk u dëgjuan. Lëreni botën ta dijë se kjo nuk është më një protestë. Ne po bëjmë thirrje për një revolucion”, ka theksuar e reja

Tani që të gjithë po i dëgjojnë zërat e tyre, ato “nuk do të ndalen”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore