Sport

“Air Albania” përgatitet për ndeshjen e madhe – masat që ka ndërmarrë UEFA për tifozët


Në vigjilje të finales së Conference League, Roma- Feyenoord, e cila do të luhet në stadiumin “Air Albania”, po kryhen përgatitjet e fundit për të pritur një numër të madh tifozësh.

Rreth 19 mijë e 500 persona do të jenë në stadium, për të shijuar nga afër ndeshjen.

Sipas udhëzimeve të UEFA-s, tifozët, të cilët do të hyjnë brenda, do t’i nënshtrohen më parë një kontrolli të rreptë.

Ata do të fillojnë të futen në stadium, duke nisur nga ora 18:00 dhe do të jenë të pajisur me një biletë elektronike.

Çdo person që ka biletën e disponon atë në telefonin e tij inteligjent. Kjo biletë është e pajisur me një “QR Code”, i cili aktivizohet në pjesën e jashtme të stadiumit dhe në pjesën e brendshme të stadiumit bëhet i vlefshëm.

Duke qenë se bileta është elektronike, ajo as nuk mund të kopjohet dhe as nuk mund të falsifikohet.

Sakaq, tifozëve nuk u lejohet të kenë çanta më të mëdha se formati i një letre A4. Për këtë qëllim do të vendosen dy vende depozitimi çantash, ku njëra do të qëndrojë tek Universiteti Politeknik dhe tjetra te hotel “Rogner”.

Tek këto vende do të ketë vullnetarë, që do të kujdesen për këtë pjesë dhe tifozët mund t’i rimarrin pas ndeshjes.

Po ashtu atyre nuk u lejohet të kenë me vete mjete piroteknike, si: fishekzjarrë, dritat lazer, apo shishe uji ose pije të tjera.

Ndërkohë UEFA është duke u dhënë përgatitjen e fundit detajeve të modifikimit të stadiumit.

Për shkak të pranisë së personaliteteve të larta të UEFA-s dhe interesit të madh të mediave të huaja, stadiumi ka reduktuar një pjesë të kapacitetit të tij.

Stadiumi “Air Albania” është i Kategorisë së Katërt. Kërkesa nga mediat ka qenë shumë e lartë dhe një pjesë tjetër e stadiumit po kthehet për akomodimin e mediave, të cilat do të mund të nisin të hyjnë në stadium prej orës 18:00 nga pjesa perëndimore e stadiumit, nga Pallati i Kongreseve.

Dyert e stadiumit për mediat, gjatë kësaj dite, kanë qenë të hapura që nga ora 15:30 dhe do të mbyllen në orën 22:30.

E gjithë tribuna qendrore do të jetë e menaxhuar totalisht nga UEFA, ku do të qëndrojnë personat VIP, të ftuar nga UEFA, si dhe partnerë dhe sponsorë të UEFA-s.

Sa i përket kësaj të fundit, në tribunën përballë, në pjesën qendrore, duke u afruar ekstremeve, do të jetë sërish me partnerë të UEFA-s ose me tifozë shqiptarë dhe të dyja pjesët ekstreme të stadiumit, nga pjesa qendrore duke shkuar në ekstrem, janë të rezervuara për skuadrat.

Tifozëria e Romës do të qëndrojë në pjesën jugore të stadiumit, ndërsa tifozëria e Feyenoord-it në pjesën veriore.

Pjesa tjetër është për publikun e gjerë – rreth 88% e biletave që janë blerë, janë shqiptarë.

Sa u përket forcave të sigurisë, në stadium do të ketë rreth 650 “steward”, në një kohë që perimetri do të jetë i rrethuar edhe nga policia: bëhet fjalë për rreth 2 mijë forca policie që janë të angazhuar vetëm me pjesën e stadiumit.

E gjitha kjo pasi policia dhe “steward”-ët do të bëjnë kontrolle trupore. Policia, sipas ligjit, do të rrijë jashtë stadiumit, ndërsa brenda stadiumi do të menaxhohet nga “steward”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore