Kosova

Ahmeti pas fitores së Osmanit: Ky kapitull u mbyll me suksesin më të madh, dallimi është mbi 40 mijë


Ali Ahmeti

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), njëherit lider i “Frontit Evropian”, Ali Ahmeti, pas fitores së kandidatit të koalicionit që ai e udhëheqë për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se ky kapitull është mbyllur me sukses.

Në festën e fitores së “Frontit Evropian” në Tetovë, Ahmeti ka thënë se fitorja e Osmanit ka më shumë se 40 mijë vota më shumë se kundërkandidati shqiptar nga radhët e koalicionit “VLEN”, Arben Taravari.

“Më 8 maj e kam një porosi për të gjithë, si vëllau vëllaut, aty ku rrezikohet ndonjë mandat le të kenë kujdes. Ky kapitull u mbyll me suksesin më të madh, dallimi është mbi 40 mijë, në të gjithë komunat fitojmë bindës, por më shumë më ka gëzuar fitorja në Tetovën time, sepse unë që 23 vite jetoj këtu”, tha Ahmeti.

Ndërsa, po nga Tetova, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pasi që ish-lideri i ASH-së, njëherit kandidati i opozitës shqiptare, përkatësisht koalicionit “VLEN, për President të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka humbur zgjedhjet presidenciale, i ka kërkuar që t’i kthehet profesionit të tij si mjek, meqë këtë dëshirë e ka shprehur kaherë.

“Arben Taravarit ia kemi plotësuar, me fajin tim, të gjitha dëshirat. E bëmë ministër e kryetar komune. Në çdo paraqitje thoshte se e ka shumë dëshirë që t’i kthehet profesionit. Arben ta plotësuam edhe dëshirën e fundit, ktheju profesionit”, tha Sela.

Kreu i ASH-së ka falënderuar “të gjithë këta bashkudhëtarë në atë që bashkë e ndërtuam e që është shumë kuptimplotë front për Evropë, front kundër Rusisë, front për ardhmëri, front për Ardhmëri, front për perspektivë dhe front për Maqedoni evropiane”.

“Është shumë domethënëse fitorja gjithandej në çdo vendbanim shqiptar dhe në vendbanimet ku jetojnë edhe komunitetet tjera etnike. Më lejoni ta falënderoj kandidatit tonë Bujar Osmani, për një fushatë të dinjitetshme…”, shtoi.

Në fund, Sela ka thënë “urime, suksese dhe me një verdikt akoma më të fuqishme më 8 maj për Frontit Evropian”.

Sela pas fitores së “Frontit Evropian”: Ia plotësuam Taravarit dëshirën për t’u kthyer në profesionin si mjek

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore