Kosova

Sela pas fitores së “Frontit Evropian”: Ia plotësuam Taravarit dëshirën për t’u kthyer në profesionin si mjek


Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pasi që ish-lideri i ASH-së, njëherit kandidati i opozitës shqiptare, përkatësisht koalicionit “VLEN, për President të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka humbur zgjedhjet presidenciale, i ka kërkuar që t’i kthehet profesionit të tij si mjek, meqë këtë dëshirë e ka shprehur kaherë.

Këto komente, Sela i ka bërë në tubimin festues në Tetovë, pasi që edhe zyrtarisht kandidati i “Frontit Evropian” – pjesë e të cilit është edhe partia e Selës – Bujar Osmani, ka fituar bindshëm zgjedhjet presidenciale në taborin shqiptar.

“Arben Taravarit ia kemi plotësuar, me fajin tim, të gjitha dëshirat. E bëmë ministër e kryetar komune. Në çdo paraqitje thoshte se e ka shumë dëshirë që t’i kthehet profesionit. Arben ta plotësuam edhe dëshirën e fundit, ktheju profesionit”, tha Sela.

Kreu i ASH-së ka falënderuar “të gjithë këta bashkudhëtarë në atë që bashkë e ndërtuam e që është shumë kuptimplotë front për Evropë, front kundër Rusisë, front për ardhmëri, front për Ardhmëri, front për perspektivë dhe front për Maqedoni evropiane”.

“Është shumë domethënëse fitorja gjithandej në çdo vendbanim shqiptar dhe në vendbanimet ku jetojnë edhe komunitetet tjera etnike. Më lejoni ta falënderoj kandidatit tonë Bujar Osmani, për një fushatë të dinjitetshme…”, shtoi.

Në fund, Sela ka thënë “urime, suksese dhe me një verdikt akoma më të fuqishme më 8 maj për Frontit Evropian”.

Më herët, kandidati i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani ka shpallur fitoren e thellë me mbi 40 mijë vota dallim në raport me Taravrin.

Këtë ai e ka bërë në një konferencë për media nga selia e Bashkimit Demokratik për Integrim në Reçicë të Vogël, pasi që janë numëruar më shumë se 60 për qind e votave.

“Kemi shënuar fitore pothuajse në çdo komunë të vendit duke nisur: fitore në Jogonocë, fitore të thellë Haraçinë, fitore të thellë në Vrapçishtë, fitore në Studineçan, në Likovë, në Bogovinë, në Zhelinë, në Gazibabë… fitore të jashtëzakonshme në Strugë, në Çashkë… në Ohër, fitore në Tetovë, fitore në Saraj, fitore në Manastir, në Velesh, fitore e thellë në Kërçovë… fitore në Gostivar, fitore në Kumanovë, në Çair, në Budel, në Dibër…”, ka thënë Osmani.

Osmani shpall fitoren ndaj Taravarit me mbi 40 mijë vota dallim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore