Lajme

AGK flet për gazetarët e vrarë dhe të kërcënuar në Kosovë, thirrje institucioneve për hapa konkret


Dy video janë transmetuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në shënimin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit. Njëra tregon historinë e 15 gazetarëve të vrarë, ndërsa tjetra përmbledhë rastet e sulmeve dhe kërcënimeve që janë bërë ndaj gazetarëve viteve të fundit.

Në këto video të prezantuar nga AGK, tregohen rastet e sulmeve dhe kërcënimeve që janë bërë ndaj gazetarëve në Kosovë në vitet e fundit dhe ambienti në të cilin ata ushtrojnë profesionin e tyre.

Aty jepen statistikat e kërcënimeve me jetë dhe lëndime trupore, kërcënime të tjera, sulme ndaj gazetarëve dhe mediave e organizatave mediale.

Në vitin 2020, në AGK janë lajmëruar 4 sulme fizike ndaj gazetarëve dhe 6 kërcënime me jetë. Ndërsa vetëm në katër mujorin e parë të vitit 2021, janë raportuar 4 kërcënime me jetë dhe një sulm fizik ndaj gazetarëve.

Gjithashtu, në një video tjetër të prezantuar nga AGK , ku  shpalosen emrat 15 gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Në tryezë u tha se kjo video do të transmetohet gjatë tërë ditës së sotme para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës në kujtim dhe kërkim të zbardhjes së fatit të tyre.

Kryetarja e AKG-së, Gentiana Begolli tha se ambienti i Kosovës është ambient i rëndë për zhvillimin e gazetarisë dhe se kjo ka shënuar hendek edhe më të madh në vitet e fundit.

“Klima e të bërit gazetari në Kosovë është përkeqësuar tashmë” sepse gazetarët “po sulmohen në qendër të qytetit, në prezencë të qytetarëve dhe kalimtarëve në rrugë”.

Ajo tutje ka thënë se policia dhe organet e drejtësisë janë të ngadalshme në reagim dhe në shqiptim të dënimeve, madje janë qesharake dënimet. “Policia thonë hetimet vazhdojnë, drejtësia vonon shumë, dënimet janë qesharake, ndërsa keqbërësit kthehen në punën e njëjtë pas dënimeve të shqiptuara”, u shpreh Begolli.

Mirëpo, ajo tha se ne si gazetarë dhe si asociacion nuk do të ndalemi “na duhet ta ngrisim zërin për çdo rast dhe kundër çdo rasti të tillë” është shprehur ajo.

Në këtë tryezë të organizuar nga AGK, participuan, Ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport, Koordinatorja e Zyrës për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, Ambasadorja Nancy Soderberg nga NDI-aj, Ricardo Gutiérrez, Sekretar Gjeneral i Gazetarë Evropianë, Lars-Gunnar Wigemark- Shef i EULEX-it, Imer Mushkolaj, Drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, dhe gazetarët Ardiana Thaçi, Betim Musliu,Darko Dimitrijeviç e Flutra Kusari.

Nga panelistët e kësaj tryeze u bë thirrje ndaj institucioneve që të ndërmarrin hapa konkret lidhur me rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe ndëshkimin e duhur ndaj kryersëve të veprave penale. Deri më tani ka vetëm dënime të “buta” ndaj tyre, gjë që nuk dërgon një mesazh të duhur.

Micheal Devonport, ambasador i OSBE-së në Kosovë, tha se Kosova në krahasim me vendet e rajonin qëndron më mirë sa i përket lirisë së medias. Ai potencoi se situata me pandeminë ka bërë që të përhapen lajmet e rreme si dhe të mbyllen shumë vende të punës, përfshi edhe gazetarinë.

“Kosova është disa hapa para rajonit në kuptim të shtypit. Kosova ka rënë për 8 pozita nga viti i kaluar dhe e ka përfunduar kështu një seri 5 vjeçar të përmirësimit në këtë aspekt”, tha ai.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, në fjalën e saj tha se gazetarët kanë një rol mjaft të rëndësishëm në shoqëri. Ata gëzojnë besimin për të dhënë informata në mënyrë të paanshme dhe të pavarur.

“Roli i gazetarëve është të raportojë se çka ndodhë, kur, dhe si ndodhë. Gazetarët kanë një rol të rëndësishëm në shoqërinë tonë dhe gëzojnë besim për të dhënë informata në mënyrë të pavarur”, deklaroi Richardson.

Folësi tjetër në këtë tryezë ishte edhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ku ka treguar se ka punuar edhe si gazetar dhe një artikull i tij për DW në Gjermani, nuk iu kishte botuar.

“Pata pranuar një telefonatë nga DW në Bon dhe më than të bëjë një raportim për Ditën e Fitores së Berlinit Lindor. Dhe duke parë që kjo ishte një mundësi e mirë për mua që të fitojë dhe të bëjë famë. Shkova dhe raportova …por që të nesërmen më thanë të ndërroj formën e shkrimit sepse nuk ishte mjaftë i fortë. Provova, por hoqa dorë dhe u thashë të bënin çfarë të donin… Kjo përvojë më bën të u qëndroj prapa fakteve”, deklaroi ai.

Ndërsa, Drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj në fjalën e tij ka thënë se nuk zbatohet korniza ligjore në vend sa i përket çështjeve të mediave dhe gazetarëve, ani pse ajo është mjaft e mirë.

“E kam bërë të qartë se çfarë nënkupton vetë-rregullimi dhe rregullimi i mediave për të cilat informimi është zero. Kjo nënkupton bashkëpunim me gazetarë e organizata që kjo të kuptohet”, tha ai.

Në tryezë, madje u vu në pah edhe mos-ndëshkueshmëria fare ndaj shumë rasteve, sepse nuk ka vullnet politik për një gjë të tillë.

Është koha për vetëdijësim ndaj trajtimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.

Shqetësim i veçantë u tha nga panelistët, është vetë sistemi i drejtësisë i cili nuk i përgjigjet nevojave që ka qytetari dhe komuniteti i gazetarëve.

U potencua edhe ushtrimi i presionit nga biznesmenë, politikanë dhe njerëz me ndikim kundrejt gazetarëve dhe mediave. Ky ndikim shpeshherë u tha se bëhet edhe me anë të padive pa ndonjë bazë të mirëfilltë.

“Ka gazetarë që janë në gjykatë duke u paditur me shuma marramendëse, si 400mijë euro apo edhe mbi 1milion euro. Kjo është forma për frenim të gazetarisë”, tha juristja e së drejtës së medies, Flutra Kusari.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore