Zgjedhjet në Kosovë

Abdixhiku: “Rikthim i madh i LDK-së”


Lumir Abdixhiku-LDK

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se këto zgjedhje lokale e shënojnë rikthimin e këtij subjekti politik.

Ai ka falënderuar strukturat e LDK-së për angazhimin e tyre.

“Lidhja Demokratike e Kosovës këtë mbrëmje të 17 tetorit e sheh si datë të rikthimit të madh”.

Abdixhiku ka thënë se në Prishtinë e kanë siguruar balotazhin, ndërsa e kanë fituar komunën e Pejës, Lipjanit dhe atë të Fushë Kosovës.

“LDK me kandidatin e saj ka siguruar raundin e dytë (Prishtinë), dhe nga aty ne kemi përfunduar garën në raund të parë në këto komuna: Në Pejë me kryetar Gaz Muhaxhirin, në Lipjan me kryetar Imri Ahmetin, në Fushë Kosovë me kryetar Burim Berishën”.

Ai tutje ka thënë se janë duke pri edhe në qytetin e Gjilanit dhe në atë të Podujevës.

LDK është rikthyer edhe në Llap tha Abdixhiku.

Kurse në qytetin e Vitisë ai tha se “prijmë ashtu siç prijmë sot në Vushtrri dhe në komunën jugore të Dragashit dhe padyshim jemi në raund të dytë edhe në komunën e Junikut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore