Lajme

Abdixhiku prezanton planin për dalje nga kriza: Nga e mërkura do të organizojë takime me shoqërinë që beson në Kosovë


Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se e ka nisur planin e tij për daljen nga kriza dhe izolimi i Kosovës.

Abdixhiku përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka pohuar se nga e mërkura do të nis takimet e para me gazetarë, shoqërinë civile, profesorë universitare dhe biznese.

“Nga e mërkurja, do të organizojmë katër takimeve të para; dhe atë me: I. Opinionistë e gazetarë, II. Organizata të shoqërisë civile, III. Profesorë universitarë e ish diplomatë dhe IV. Biznese nga sektori privat në vend”.

Ai tutje ka theksuar edhe çështjet të cilat do të diskutohen në takime.

“Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euro-atlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithë shoqëror.

Sipas tij, në këtë takim janë ftuar shoqëria që beson në Kosovë.

“Kam ftuar për angazhim të përbashkët të shoqërisë sonë, atyre që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, në artikulimin e qartë të kësaj rruge. Kam ftuar në angazhim mbipartiak e përtejpartiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës”.

“Jam i lumtur me reagimin e parë publik ndaj vet iniciativës. Jam i lumtur me mbështetjen e gjerë të dhënë nga vet akterët për këtë qëllim. Jam i bindur se shoqëria kosovare ka masën kritike të domosdoshme brenda saj, për të bërë gjënë e duhur në momentin e duhur. Dhe ky është momenti i duhur”.

Më 29 qershor, kryetari, njëherësh edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku kishte paralajmëruar se do të prezantoj një plan për daljen nga kriza dhe izolimi i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore