Lajme

Abazoviç: Jam pro shkarkimit të Gjukanoviç’it


Milo Gjukanoviç dhe Dritan Abazoviç

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka deklaruar se Kuvendi i Malit të Zi duhet ta votojë iniciativën për shkarkimin e Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Deputetët e shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 shtator, procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviç.

Ata pretendojnë se Gjukanoviç ka shkelur Kushtetutën gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e qeverisë.

E sipas Abazoviç, shkarkimi i tij do të dërgonte një mesazh të rëndësishme politik.

“Ne kemi qenë padyshim peng të një njeriu për 30 vjet dhe tani duhet të vazhdojmë të jemi peng. Nuk mendoj se është mirë. Dhe mendoj se kjo situatë u është shpjeguar këtu edhe partnerëve të shumtë, jo vetëm atyre amerikanë, dhe mendoj se është e qartë për të gjithë. Po kalojmë një periudhë të vështirë. Është logjike pas 30 vitesh qeverisje që gjithçka nuk po shkon shumë mirë. Është mjaft logjike”, ka deklaruar Abazoviç për Zërin e Amerikës.

Kuvendi i Malit të Zi

Iniciativa për shkarkimin e Gjykanoviç’it kërkon mendimin e Gjykatës Ksuhtetese, e cila aktualisht është jashtë funksionit, megjithatë një gjë e tillë sipas Abazoviç, është problem i avokatëve.

“Do të shohim se çfarë do të thotë, duke qenë se gjithçka është konfuze. Mendoj se është një mesazh mjaft domethënës nëse ndodh. Vetë fakti që e bëri parlamenti, që e bëri mazhoranca në parlament, një shumicë legjitime, më duket shumë domethënës”, ka deklaruar ai

Pas rrëzimit të qeverisë së Dritan Abazoviçit, më 20 gusht, tri partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi ranë dakord që Miodrag Lekiç të jetë mandatar për përbërjen e qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve – sa kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh.

Gjukanoviç e refuzoi propozimin që Llekiç të jetë mandatar për formimin e qeverisë së re të këtij vendi, me arsyetimin nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme.

Ai në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore