Lajme

AAK: Peci është mashtrues ordiner, po na lufton politikisht


Ilustrim: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, i ka cilësuar si “manipulim ordiner” deklaratën e fundit të Ministritë të Bujqësisë, Faton Pecit, se dikasterit që ai e udhëheqë i janë rikthyer 600 metra katrorë të një objekti në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, ku është selia qendrore e kësaj partie.

Përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, AAK ka sqaruar se kjo parti ka kontratë me Ministrinë e Bujqësisë për një pjesë të objektit.

“Ne paguajmë qira mujore për shfrytëzimin e 569 metra katrorë, në katin përdhes dhe të parë në vlerë prej 4 mijë e 552 eurosh në muaj, ku nuk përfshihet as bodrumi e as kati i dytë, që janë të mbyllura e të lëna në gjendje të mjerueshme”.

“Pohimet e këtij far ministrit se gjoja ‘I rikthyem mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullarit…’, janë pjesë e manipulimit ordiner të tij për të krijuar përshtypjen sikur ato paskan qenë të uzurpuara nga dikush”.

Sipas AAK nuk është hera e parë që ministri Peci bënë manipulime të kësaj natyre “me qëllim që ta luftojë politikisht Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”.

“Sepse edhe ashtu i kanë mbetur pak ditë aty ku është”.

AAK ndër të tjera ka potencuar se do të qëndrojë në këtë ndërtesë pavarësisht “a i pëlqen dikujt apo jo”.

“Paguajmë një qira që është mbi vlerën e tregut, për një objekt që e ka rinovuar Aleanca me mjete të veta, por këtë herë nuk mund mos të themi se Faton Peci është një manipulues ordiner”.

Faton Peci, njoftoi se dikasterit që ai e udhëheqë i janë rikthyer 600 metra katrorë të një objekti në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Përmes një postimi në Facebook, Peci ka bërë të ditur se shumë shpejt do të fillojë edhe procesi i renovimit të këtij objekti.

“Sot vizitova hapësirat e objektit të Ministrisë së Bujqësisë në Lagjen  Ulpiana në Prishtinë, ku kemi rikthyer mbi 600 metra katror në shërbim të institucionit. Së shpejti do të fillojmë me procesin e renovimit”, shkroi Peci.

Ministri theksoi se mbetet optimist se instancat e sistemit të drejtësisë “do të marrin një vendim meritor që objekti i Ministrisë dhe hapësirat për rreth saj të jenë në shfrytëzim dhe shërbim për titullarin.

Objekti ku ndodhet selia qendrore e AAK-së i kalon Ministrisë së Bujqësisë, njofton Peci

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore